Amerikë, 24 shtator NOA - Bashkëshortja e kryeministrit, Liri Berisha ka marrë pjesë sot në Konferencën Ndërkombëtare të Autizmit, në New York, si bashkë-kryetare nderi.
Në kuadër të punës dhe përpjekjeve për studimin dhe trajtimin e Autizmit, në New York, SHBA, u organizua Konferenca Ndërkombëtare e Autizmit "World Focus on Autism", organizuar nga Autism Speaks në partneritet me organizata të tjera, midis të cilave edhe Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, presidente e të cilit është Zonja Liri Berisha.
Pjesëmarrës në këtë organizatë ishin Zonja të Para nga e gjithë bota, mjekë, sociologë, psikologë etj.
Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë merrte pjesë në këtë konferencë si një prej organizatorëve, dhe zonja Berisha në rolin e bashkë-kryetares së nderit.
"Autism Speakes" është qendra më e madhe mbi autizmin në New York e themeluar në vitin 2005, e cila ka për qëllim financimin dhe mbështetjen e kërkimit shkencor, parandalimit, trajtimit dhe kurimit të autizmit.
Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë "Domenick Scaglione" dhe Presidentja e tij, zonja Liri Berisha kanë një partneritet të ngushtë me këtë qendër.
Presidentja e "Autism Speakes" zonja Suzanne Wright bëri një ekspoze mjaft vlerësuese mbi punën e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë si dhe mbi arritjet e këtyre përpjekjeve në këtë fushë.
Më pas ajo ia dha fjalën zonjës Berisha e cila në diskutimin e saj hodhi dritë mbi disa iniciativa konkrete në këtë drejtim si organizimin e një konference kombëtare për të dytin vit radhas në Shqipëri ku ekspertë të shkëlqyer ndërkombëtarë do t'i ofrojnë pediatërve, psikologëve dhe aktorëve të tjerë lokalë, informacionin e nevojshëm dhe bashkëkohor si dhe do të ofrohen sesione trajnimi për grupe të vogla specialistësh që tashmë punojnë me fëmijët autistë.
Presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, zonja Liri Berisha nënvizoi se një bibliotekë me literaturë mbi autizmin po nis të krijohet falë kontributit të figurave të shquara nga Britania e madhe dhe SHBA dhe ka nisur dhurimi i librave dhe revistave mbi autizmin.
"Unë do të inkurajoja që çdo vend të ndërtonte një partneritet të tillë, si ai që ne kemi me "Autism Speaks",-tha zonja Berisha në fund të fjalës së saj.
Â