Shkodër, 24 shtator NOA - Kryetari i Partisë Socialistë për Shkodrën, Edip Shiroka ka lëshuar sot një komunikatë për shtyp me anë të së cilës deklaron se janë zëvendësuar komisionierë të rrethit të përfaqësuesve të Partisë të Bashkisë Shkodër pa asnjë kriter.
"Sot kur vetëm dy ditë na ndajnë nga dita e votimit për kryetarin e ri të PS-së komisioni qendror i zgjedhjeve në parti me një vendim absurd, bën zëvendësimin në komisionin e rrethit të përfaqësuesve të Partisë së Bashkisë Shkodër.
Përfaqësuesit tanë tashmë të konsistuar në këtë komision, profesorë të nderuar, zëvendësohen pa asnjë kriter dhe pa dhënë asnjë shpjegim me të tjerë persona, kriteri i vetëm i të cilëve është besnikëria e kohëve të fundit ndaj kandidatit Edi Rama" deklaroi Shiroka.
"Këtu shihet qartë tendenca për manipulime dhe fshehja e së vërtetës nëpërmjet mungesës së transparencës për këto zgjedhje.
Është i çuditshëm fakti që ndërsa kërkojmë standarde zgjedhore në Shqipëri, i shkelim me të dyja këmbët në proceset zgjedhore brenda Partisë.
Kjo është vënë re gjatë gjithë periudhës parazgjedhore, po ashtu edhe në takimin e dy kandidatëve në Shkodër, duke anashkaluar strukturat e partisë dhe lënien e procesit në dorë të njerëzve të pazgjedhur por të emëruar nga Rama në poste të krijuara prej tij, jashtë çdo kriteri statusor" tha më tej Shiroka.
Sipas tij, nga ky këndvështrim ekziston bindja e plotë se procesi i votimit një anëtar një votë më 26 shtator do jetë një farse dhe dështim i radhës i Edi Ramës.
"I drejtohemi kandidatit tjetër, profesorit të nderuar Maqo Lakrori, mospërfshirja e jote në këtë proces të dështuar pa filluar akoma, do jetë shërbimi më i mirë për Partinë Socialiste, për të gjithë socialistët dhe progresistët, për të gjithë ato votues të shumtë në të gjithë Shqipërinë që na besuan më 28 Qershor, por që është shpërdoruar dhe po shpërdorohet nga lidershipi aktual në detyrë i PS-së" përfundon deklaratën e tij kreu i Partisë Socialiste së Shkodrës, Edip Shiroka.
k.k/NOA
Â