Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ndodhet në Nju Jork në një fushatë për të fituar mbështje për pavarësinë e Kosovës ndër vendet që nuk e kanë njohur atë ende. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili shoqëron zotin Sejdiu në Nju Jork ndërsa atje po mbahet mbledhja vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha në një intervistë për BBC-në se vendimi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës pritet të ketë ndikim në procesin e njohjeve të metejme të pavarësisë së Kosovës.
Â
Z.Hyseni, a pret delegacioni kosovar rezultate më të mëdha në Nju Jork?
- Rezultatet e çdo fushate, sepse edhe kjo duhet të shihet si një fushatë lobimi për njohje, nuk mund të priten në mënyrë instante, por gjithsesi do të vijnë më vonë. Ajo që ka rëndësi është se Kosova është e pranishme, ka vizibilitet të pranisë së Kosovës në OKB, ajo si të gjitha delegacionet e tjera anëtare të OKB-së, ka qasje në të gjitha mjediset e OKB-së dhe kjo i jep një mundësi të mirë të kontakteve të shumta.
Po ashtu edhe presidenti edhe unë do të jemi të pranishëm, përpos takimeve bilaterale, edhe në një varg ngjarjesh që sjellin përfaqësues nga shumë vende të botës, pritje të ndryshme. Ta zëmë sonte presidenti Sejdiu do të jetë në pritje tek presidenti Barak Obama që organizon për udhëheqës të delegacioneve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Â
Por zoti ministër Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe ju po merrni pjesë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme. Besoni se mund të arrini të bindni më tepër shtete që të njohin pavarësinë e Kosovës?
- Absolutisht ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundshme. Natyrisht nuk është e lehtë. Ju e thatë vetë, duke mos qenë anëtare e OKB-së nuk është lehtë të zhvillosh aktivitet në OKB, sepse është një numër i madh i vendeve që ende nuk na kanë njohur dhe rrjedhimisht ka edhe hezitime të natyrave të ndryshme.
Por, ajo që ka rëndësi është se ne do të bëjmë punën tonë. Absolutisht do të bëjmë të gjitha përpjekjet që mund të bëhen dhe në këtë e kemi përkrahjen edhe të misioneve të tjera, të delegacioneve të ndryshme nga vendet mike. Në fund të fundit ne nuk mund të imponojmë rezultate, por gjithsesi unë jam optimist për to.
Â
Ju po bëni punën tuaj. Por edhe presidenti dhe ministri serb po bëjnë punën e tyre, duke lobizuar për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
- Krejt e natyrshme. Nuk shoh asnjë gjë të panatyrshme. Do të ishte krejtësisht e panatyrshme po të ishte ndryshe. Sepse delegacioni serb lobon kundër pavarësisë së Kosovës mua më duket krejtësisht e natyrshme përnga pikëpamja e delegacionit serb. Se a është kjo politikë e qëlluar, afatgjatë e Serbisë, lirisht mund të them se është politikë dhe qasje e gabuar. Por nga këndvështrimi i politikës aktuale serbe kjo është krejtësisht e natyrshme dhe unë s'kam asnjë koment tjetër.
Â
Më lejoni t'ju pyes: A përbën pengesë fakti që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është duke u marr me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës?
- Absolutisht, absolutisht. Unë e kam thënë sa e sa herë dhe nuk hezitoj ta them të vërtetën asnjëherë. E vërteta është se procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka ndikim në procesin e njohjeve dhe një numër i vendeve, jo shumë i madh, por gjithsesi një numër i tyre, preferojnë të presin deri në përfundimin e këtij procesi në GJND, duke mos e kushtëzuar asnjëherë njohjen e Kosovës me epilogun në GJND.
Â
Presidenti Boris Tadiç ka thënë se po pret një vendim të GJND-së për të rifilluar negocitatat me Kosovën për të arritur, siç ka thënë, një kompromis për statusin e saj.
- Statusi i Kosovës është i mbyllur. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Për këtë çështje asnjëherë nuk do të ketë biseda mes Prishtinës dhe Beogradit. Ato të dyja mund të ndodhë të bisedojnë mes vete për çështje të ndryshme të interesit të ndërsjellë si dy vende të pavarura dhe sovrane dhe unë besoj se duhet të bisedojnë. Ndërkaq, se do të ketë negociata për statusin më lejoni të them se kjo nuk do të ndodhë asnjëherë. Kosova është shtet i pavarur, i njohur sot nga 62 vende të botës, do të njihet nga dhjetëra e dhjetëra vende të tjera të botës gjatë një periudhe, besoj, jo shumë të gjatë dhe populli i Kosovës, qytetarët e saj, nuk kanë asnjë arsye të jenë pesimistë në këtë drejtim.
Përkundrazi, kanë të gjitha arsyet e mundshme që të jenë shumë optimistë, sepse numri prej 62 njohjeve është numër i mirë. Është krejt çështje tjetër që ne po synojmë të përsosurën, po synojmë sa më shumë dhe do të arrijmë shumë, por me 62 njohje sot, gjatë kësaj periudhe që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ajo qëndron larg, larg më mirë se shumë vende të tjera që kanë dalë nga ish-Jugosllavia në kuptim të dinamikës, shpejtësisë së njohjeve.
Prandaj dëgjuesit tuaj të nderuar nuk duhet asnjëherë të dyshojnë që Kosova do t'i arrijë qëllimet e veta, por natyrisht në këtë rrugë ka vështirësi të natyrave të ndryshme, vështirësi të pritshme e ndonjëherë edhe të papritshme. Por gjithsesi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të përfundojë procesin shpejt dhe ne kemi besim në GJND, kemi besim në paanësinë e këtij institucioni të drejtësisë.
BBC
Â
Â
Â