English

Takimet në Nju Jork, Meta merr mbështetjen e homologëve

Nju Jork, 24 shtator NOA-Takimet në Nju Jork me rastin e mbledhjes së Asamblesë së OKB-së kanë qenë frytdhënëse për zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme z. Ilir Meta.

Ditën e djeshme, Meta ka zhvilluar një takim me /ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve  Stuart Jones dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Qipros dhe të Rumanisë.

Gjatë takimit me z. Stuart Jones, u bisedua mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe SHBA-së dhe zhvillimet më të fundit në Shqipëri.

Një vend të veçantë në bashkëbisedim zuri edhe diskutimi mbi situatën në rajon dhe perspektivën e saj.

Meta theksoi vendosmërinë për të vazhduar luftën kundër trafiqeve ilegale, korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe ripërsëriti angazhimin e vendit për pjesëmarrje aktive në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit.

Nga ana e tij, Z. Jones, e uroi Metën për detyrën e rëndësishme.

Ai shprehu vlerësimin për zgjedhjet si më të mirat e zhvilluara deri më sot dhe gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën në funksion të reformës zgjedhore dhe përmbushjen e vërejtjeve dhe sugjerimeve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it.

Në takimin midis zv/kryeministrit Meta me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Qipros, z. Markos Kyprianou dhe atë të Rumanisë, z. Cristian Diaconescu biseda u përqendrua në çështjen e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE dhe procesin e liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në marrëdhëniet dypalëshe.

Krahas takimeve dypalëshe, zv/kryeministri Meta mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, A5.

KOMENTE