English

Topalli: Opozita të vijë në Kuvend të bashkëpunojmë për projektet e mëdha

Tiranë, 24 shtator NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë seancës plenare të ditës së sotme nuk harroi të përshëndesë dhe të vlerësojë si objektiv, realist, shumë pozitiv raportin e Këshillit të Evropës për zgjedhjet e 28 Qershorit në Shqipëri, ndërsa i bëri thirrje opozitës të vijë në Kuvend për të bashkëpunuar me mazhorancën.

"Në emrin tuaj, më lejoni të shpreh konsideratën, vlerësimin pozitiv dhe të përshëndes raportin e Këshillit të Evropës për zgjedhjet, një raport objektiv, realist, shumë pozitiv, i cili ndoshta edhe më shumë se raportet e mëparshme thekson se zgjedhjet ishin një progres i qenësishëm, se procedurat e regjistrimit, të identifikimit të zgjedhësve, të adapatimit të një kuadri juridik të përmirësuar shënonin një progres të rëndësishëm," tha Kryetarja Topalli.

Duke u ndalur në disa nga çështjet më të rëndësishme të raportit të Këshillit të Evropës, Kryetarja e Kuvendit tha se rritja dhe përmirësimi i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një tjetër pikë e rëndësishme e këtij raporti.

Duke cituar vlerësimin e Këshillit të Evropës, ndër të tjera zonja Topalli u shpreh se raportin konstatonte se dita e votimit ishte e organizuar shumë mirë dhe se procedurat e votimit u vlerësuan mirë dhe shumë mirë në 93% të qendrave të votimit.

"Në emrin tuaj, më lejoni të falënderoj të gjithë observuesit e huaj që kanë konkluduar në këto raporte, njëra pas tjetrës, të cilat flasin fjalët më të mirë për 28 qershorin dhe për të gjithë periudhën para dhe pas 28 qershorit.

Shfrytëzoj edhe një herë rastin për të ftuar opozitën që të vijë këtu, të kryejë detyrën e saj, të bëjë një opozitë të fortë, një opozitë konstruktive, natyrisht, edhe për të bashkëpunuar me maxhorancën për projektet e mëdha të integrimit të kësaj periudhe," përfundoi Kryetarja e Kuvendit.

k.k/NOA

KOMENTE