English

Fatos Nano: Qëllimi i jetës sime do të jetë shkatërrimi i karrierës së Edi Ramës

Tiranë, 25 Shtator NOA - Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili nuk është më as deputet në Parlament, në një intervistë të enjten në mbrëmje për gazetarin Blendi Fevziu në "Opinion" të tv Klan, deklaroi se do të rivalizojë Edi Ramën, duke premtuar të kandidojë përballë tij.

Në më shumë se dy orë intervistë, Nano ashtu si dhe pak muaj më parë në daljen pragzgjedhore, nuk kurseu asnjë akuzë dhe fyerje publike ndaj Edi Ramës, duke e ofenduar atë edhe moralisht.

Batutat për dyshime burrërie ndaj Edi Ramës, të nisura në intervistën e pak javë para zgjedhjeve, degjeneruan në përfolje të tipit "as burrë - as grua", duke vijuar më tej, me deklaratën e fortë se do të rikthehet në politikë duke synuar në vazhdim të jetës së tij, të nxjerrë jashtë karrierës Edi Ramën, për të cilin tha se ai nuk largohet vetë nga politika, duke sjellë si shembull mostërheqjen politike pas 28 qershorit.

Nano tha se do të kandidojë për të marrë postin aktual të kryetarit të Bashkisë së Tiranës të cilin e kontrollon prej afro një dekade Edi Rama, duke mos përjashtuar dhe marrjen e frenave të PS edhe një herë, kur tha se heqja e titujve institucionalë Ramës, do të bëhet një e nga një.

Më poshtë ndiqni intervistën marrë nga "Koha Jonë":

Zoti Nano, jeni duke e ndjekur zhvillimin politik të ditës?

E ndjek në një farë distance.

Distanca a ju bën të keni një shikim më realist?

Po, dhe ia kam ndjerë lezetin. Sidomos me kohën që më mundëson të kem filozofinë time mbi palët në këto zhvillime.

Të qenit mbi palët ju lë jashtë palëve, apo brenda politikës aktuale?

Të jesh i papërfshirë tek palët, të jep mundësinë të kuptosh cila është aspirata apo interesi që dominon palët, dhe çfarë të përbashkëta kanë ato. Gjëra që shpesh nuk shfaqet nga ballafaqimi i lidershipeve.

A keni arritur të diagnostikoni zemrën e Partisë Socialiste?

Zemra e socialistëve është aty. Është e ngushtuar, madje ka një ritëm disi të çrregullt, nuk është pulsi i zakonshëm për shkak se trupi i këtij organizmi politik është infektuar me shumë viruse. Janë viruse të shoqërisë së vjetër shqiptare, të liderëve.

Si ka mundësi, Partia Socialiste është grupi më i ri në Shqipëri?

Nuk do të preferoja të blija mallra për shkak të etiketës. Mosha mesatare është një tregues i vitalitetit, por ajo nuk të imunizon në rast se mungon kultivimi i eksperiencës. Apo institucionet e kontrollit mbi të zgjedhurit dhe përfaqësuesit, dhe nuk të krijon imunitet ndaj viruseve të shoqërisë së vjetër. As ndaj traditës ballkanase dhe veçanërisht nga trysnia e madhe e afërsisë së politikës me pushtetin dhe korrupsionin apo privilegjet e kërkuara dhe më shpejt se sa ti siguron mosha. Të gjitha organizimet që ndërtohen për këto interesa korruptive, që nuk burojnë një terren meritokratik dhe të konkurrencës së hapur dhe të lirë mbi bazën e aftësive profesionale dhe politike, të cilat zëvendësojnë vetë organizatën dhe kuadrin e jetës së një organizate vullnetare.

A i humbi Partia Socialiste këto zgjedhje?

Unë mendoj se nuk ka më vend për lojëra fjalësh. Këto zgjedhje patën humbës dhe i humbi opozita. Patën atë rezultat që pritej, pra një gjysmë fitore e koalicionit kryesor që arriti në kufijtë e 70 mandateve dhe siç pritej, krijimi i një koalicioni më të gjerë qeverisës se sa blloqet tradicionale që u kurorëzua me marrëveshjen Berisha-Meta. Humbësi pra është PS dhe kjo nuk më ngazëllen, nuk është një zhvillim që e dëshironte shumica e shoqërisë.

Kush e ka përgjegjësinë për humbjen e Partisë Socialiste?

Përgjegjësia është hierarkike, politike dhe e lidhur me vijën, udhëheqjen dhe organizimin që Edi Rama në krye të fushatës së Partisë Socialiste, i imponoi opozitës.

Ju sulmuat Edi Ramën pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, a ndikoi kjo në humbjen e PS-së?

Kam kohë që përsëris pa u lodhur të njëjtat kritika për deformimet dhe mos funksionin e demokracisë së brendshme të PS-së dhe marrëdhënieve në shoqërinë e hapur. E bëra këtë edhe në prag zgjedhjeve. Përsërita të njëjtin qëndrim kritik dashamirës, duke u përpjekur të sjellë në një tryezë dhe në një dialog, liderët e së majtës. Pra pa bashkimin e së majtës, zgjedhjet ishin të taksura për të humbur. Isha i bindur për të. Vazhdoj të mendoj se e majta duhet të rigrupohet në një familje.

Pse nuk rigrupohet në një familje e majta?

Ka disa arsye. Arsye që lidhen me grupime interesash dhe përfaqësues të grupeve interesash që janë në konflikt me interesit, të grupuar përreth Ramës dhe Metës. Lidhen me deformimin e karakterit dhe të funksionimit të partive politike. PS ka qenë më e hapur para ciklit Rama, siç e quajti Majko. Që i jepte mundësinë të bashkëjetonte edhe me grupimet politike brenda saj dhe të dala prej saj.

Majko tha se u mbyll cikli Nano dhe u hap cikli Rama?

Majko kështu është, e njohim. Ai po bënte interpretin e dikujt tjetër. Nëse nuk thitë ato që mendon, as vetë nuk i mban mend. Po ti thuash i mban mend ato që the mbrëmë, nuk i mban mend. Për ca cikli flet Majko, mbaruan periodat e mia dhe filluan të Ramës?. U mbyll cikli i politikanëve profesionistë, apo ai i reformatorëve dhe reformave që çuan PS në internacionalen socialiste?. Në pikëpamjen politike, formula që lëshoi Majko, nuk ka asnjë mundësi për tu arsyetuar dhe argumentuar. Nga pikëpamja e propagandës apo gjendjes së sotme të PS mund të gjente broçkulla të tjera.

Por Edi Rama mundi të marrë numrin më të madh të votave që është marrë ndonjëherë nga PS në zgjedhje?

Nuk e përballojmë dot humbjen që solli Rama me shifra aritmetike. PS në pesha relative, mbetet në ato nivele që ka qenë dhjetë vitet e fundit. Ajo që dominon është se e majta është pjesa më e votuar nga elektorati, por mbetet ende në opozitë për shkak të përçarjes. Pra zoti Edvin Rama, nuk kishte për detyrë të merrte më shumë vota, por të bashkonte të gjitha votat për të majtën e Shqipërisë në një formacion.

Edi Rama pretendon se votat u vodhën në 28 Qershor?

Ky është një debat i dështuar, pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ, nga vëzhguesit e pavarur vendas apo ndërkombëtarë si Komisioni Evropian, OSBE/ODIHR, SHBA, si dhe nga vlerësimet e tjera në të cilat dominon fakti se nuk ka prova për manipulim votash. Unë besoj se nuk është vendi as koha për klasën politike të mburret me numrin më të madh të votave të marra në krahasim me të kaluarën. Është koha të respektohen standardet normale. Sidomos që pasi zgjedhjet certifikohen të pranohet rezultati. Të vishen me vrap e të betohen dhe të fillojnë jetën parlamentare që zhvillohet në ballafaqim në Kuvend.

Opozita ka vendosur disa kushte për të hyrë në Kuvend?

Nuk besoj se janë të qarta kushtet. Madje janë aq të paqarta, sa kushdo përfaqësues i PS thotë diçka nga vetja.

Pandeli Majko tha dy ditë më parë, se socialistët janë gati të shkojnë në protesta popullore?

Mjaft u more me shakatë e Majkos. Mendon se Majkos dhe Ramës u shkon njeri prapa në protesta. Kjo është një aventurë e dështuar. Jam i bindur për këtë sepse e njoh dhe jemi kultivuar në të njëjtën kulturë demokratike. Është aventurë e dështuar, e destinuar të përfundojë shpejt dhe unë do të vazhdoj të punoj. I bëj thirrje që sot anëtarëve të PS-së, që në 26 shtator mbi fletët e lakrorit që gatoi Rama për votimin, të shënojnë me germa kapitale, "jo bojkotit". Unë kam besim te guximi dhe kurajoja e tyre. Nuk është koha për të bërë farsa elektorale brenda partisë, por për të marrë përgjegjësitë, që u ka dhënë populli 65 përfaqësuesve të PS-së. Do të kërkoja të ushtrojnë detyrën pse u votuan.

Edi Rama u tërhoq nga posti i PS pas zgjedhjeve dhe tashmë rikandidon. Pse nuk konkurruat edhe ju me të, për të shprehur filozofinë tuaj?

Unë nuk jam kaq inatçi. Unë nuk mund të bëj të njëjtën gjë gjatë gjithë jetës sime aktive. Drejtova PS-në deri në momentin e mos suksesit në një ballafaqim elektoral. Krijova standardin me largim në rast humbje të zgjedhjet. Absolutisht mund të qëndroja dhe unë në PS atëherë, nëse nuk do të isha në rregull nga trutë. Tërë jeta ime në PS u karakterizua nga investimi që e bëra, të aftë të qeveriste vendin të afronte në organizatat dhe do të jepja shembullin e liderit, për tu respektuar. Nuk jam njeri i prapaskenave, por një njeri me moral evropian.

Jeni penduar që dhatë dorëheqjen në atë kohë, kur Rama po rikandidon?

Jo. Kam sakrifikuar mjaft për të sjellë shembuj të mirë. Vetëm kështu mund të bëhemi të denjë për partneritet.

Çfarë duhet të bënte Rama pas zgjedhjeve?

Të respektonte precedentin. Jo të më imitonte mua, por të paktën ditën e shpalljes së rezultateve ngas KQZ, të jepte dorëheqjen e parevokueshme. Ramën dhe Berishën nuk i shohim më me pushime. E kanë dënuar veten prej vitesh të rinë në zyra shteti. Prej 2 javësh qarkullon ideja se ju mund të kandidoni në postin e kreut të Bashkisë së Tiranës. E vërtetë?

Të gjitha hapësirat janë të mundshme. Të gjitha vendet që janë në axhendën e konkurrimeve të ardhshme.

Kush mund t'ju kandidonte ju Ilir Meta apo Sali Berisha?

Më vjen shumë keq, më dhimbset që aventurizmi i Ramës, në Shqipëri nuk po ndalet dot nga askush. Nuk është fjala për veprime të paligjshme, që duhet ndalur ai, por një mjedis dhe trysni demokratike normale në një shtet ligjor, në të cilin nuk të lejohet të sillesh në këtë mënyrë. As në pushtetin bashkiak, në politik apo në fushën e përdorimit të buxhetit bashkiak apo fushën e kontakteve me botën informale dhe të nëndheshme.

Ke informacione?

Kam të gjitha informacionet që hajduti bërtet kapeni hajdutin. Një numër i madh personash në kërkim kanë qenë në stafin e Ramës në fushatë. Kam folur me organet përkatëse, sepse ditën që ju përgjigjëm me sinqeritet për ribashkim të së majtës, një javë para zgjedhjeve, mora mesazhe kërcënuese për jetën. Mesazhe ku thuhej se po vazhduat ju të dy të bukurit e shejtanit të kërcënoni Ramën, do ta paguani me jetë. E denoncova në organet përkatëse dhe në kontaktet që kam. Munda të verifikoj se nga vinin e si përdoreshin dhe sigurisht që mora masat e mia. Ishin njerëz pranë Edi Ramës, nga ata më të famshmit që janë shfaqur kohët e fundit. Si është e mundur që një parti e madhe dhe e rëndë si PS, të bëjnë shantazhe për zgjedhjet. Si është e mundur që askush nuk po i del përballë këtij njeriu. Unë jam këtu për ti qëndruar këtij njeriu, në bashki në presidencë, ku do qoftë. Jam i gatshëm të përballem me Ramën dhe cilindo të shkurres së tij, për ta frenuar atë që po merr në qafë PS.

Duke konkurruar për postin e kryetarit të bashkisë?

Është e hapur edhe kjo mundësi, dhe do të jetë pjesë organike e skemës time politike në 3 vitet e ardhshme.

Shumë socialistë ndjehen armiqësor me ju?

Nuk e kam këtë ndjesi, përkundrazi dhe në momentet e fundit para se të vija këtu, mesazhet ishin të shumta, për t'iu rikthyer shpresën besimin dhe kujdeset e mia, pas plagosjes së rëndë që po ndodh në partinë e tyre. këtë e thotë një njeri që kurrë nuk ka ndërprerë marrëdhëniet me njerëzit që e kanë mbështetur në burg dhe në liri dhe ata njerëz që e kanë merituar një jetë më të mirë, një përfaqësim politik më të denjë. Pra askush nuk mund të shkëpuste Fatos Nano nga masa e panumërt të PS në Shqipëri.

Ju e quani Ramën, aventurier, por zërat kundër tij në PS janë minor apo inekzistentë?

Këtë po e analizojmë dhe ne. Masa e socialistëve ndjehet e dhunuar dhe e frikësuar nga lidershipi aktual. Po mbyll mundësitë e dëgjimit nga publiku i madh i zërave të vërtetë në PS. Pas kaq kohësh, nuk është e rastis,që ka një grup përfaqësues dinjitozë të PS-së, të rritur në një klimë tjetër, si ajo e solidaritetit dhe funksionimit të demokracisë në PS, të sprovuar dhe të mbushur me eksperiencë politike dhe qeverisëse.

Jeni ju ideatori dhe frymëzuesi tyre?

Indirekt po. Nuk është në stilin tim të ndërtoj skema të tilla. Këta janë njerëz që kanë dinjitetin të dalin në plan të parë. Si të tillë unë i konsideroj partnerë. Unë jam në kontakt me ta dhe shumë të tjerë. ata janë të qartë dhe të orientuar drejt në kërkesën dhe aksionin politik që kanë nisur. Por këtij aksioni ti japin më shumë frymëmarrje, të zgjerojnë rrethin dhe nuk duhet të hezitojnë të kapen rob në kurthet statusore të Rama-Ruçi, apo të ngecin në rrjetën e merimangave të vetëpërjashtimit. Sepse detyra e tyre është të shkojnë në Kuvend për atë çka u votuan.

PS ka vendosur të bëjë opozitë të fortë edhe në rrugë qoftë?

Po flasim për epokë moderne, debat dhe ballafaqim parlamentar sipas kushtetutës dhe jo shantazh antiparlamentar. Tani as arbitri nuk është me ta, se u dëgjua edhe arbitri ndërkombëtar. Një grup eunukësh në lidershipin e sotëm të PS nuk lëshojnë pushtetin dhe u kanë shteruar idealet. Janë tërë grupi i liderëve të rinj dhe të vjetër, pranë Ramës, përfshirë dhe Ruçin, Doklen apo Majkon.

Këta njerëz kanë qëndruar pranë jush?

Këta nuk kanë qenë miqtë e mi personalë. Por drejtues për aq kohë sa unë drejtoja PS-në. Sjellja e tyre, pas largimit tim, është e tillë që jo vetëm nuk po sjell rikthimin në pushtet të PS-së, por degradimin e institucioneve të saj përfaqësuese. Për pasojë, unë jam po kaq mirënjohës, për partnerë të denjë dhe përfaqësues, qofshin dhe këta njerëz, si jam kaq i pamëshirshëm për ti sjellë në rrugën e drejtë po ata. Po tejkalojnë orekset e tyre.

Pse po thoni se Rama po vepron keq dhe njerëz si Ruçi dhe Majko po e mbështesin?

Ata mund të jenë thinjur por janë ende të papjekur, fakti më skandaloz është sjellja e sotme. Mos pranimi i rezultatit të zgjedhjeve, bojkoti i Kuvendit. Kjo sjellje po mbyll kanalet e frymëmarrjes së shoqërisë dhe socialistëve me njëri tjetrin. Emra si këta, apo cilido tjetër, nuk kanë asnjë tezë tjetër me publikun, veçse certifikimin ose mohimin e zgjedhjeve demokratike. Asnjëri prej tyre nuk e imitoi sjelljen time. Shpreh shqetësimin tim personal, se s'mund të pranojnë.

A ekziston rreziku që grupi i kundërshtarëve në PS të përjashtohet?

Është një rrezik për tu marrë në sy, por jo më i madhi. Më i madhi është se kush do mund të asfiksohet në këtë situatë dhe të mos kryejë detyrën politike të përfaqësuesit.

Një PS pa Ramën nuk do të ishte më e dobët, para Berishës. Nuk do ish në favor të Berishës?

Liderë të fortë për çfarë, për ta çuar PS-në nga humbja në humbje pa fund. Se përjashto bashkitë kryesore, Rama i ka humbur të gjitha garat elektorale edhe në 2007. Nuk ka treguar asnjë skemë fituese. Humbi zgjedhjet e 2009, se nuk fitoi do ato të 2007. liderët që çojnë partinë nga humbja në humbje të largohen menjëherë.

Kush do e kryesojë?

Nuk jemi sot të gjejmë zëvendësuesin, por PS ka kaq shumë talente, njerëz të sprovuar, që në rast se funksionojnë rregullat demokratike, liderët janë aty dhe lideri i fortë nuk mund të funksionojë pa një ekip të fortë.

Keni ambicie të ktheheni si lider i PS?

Unë nuk mund të bëj tërë jetën të njëjtën gjë. Jam shumë pran PS, por do të vazhdoj ti nxis të ruajnë jo vetëm investimin e bërë deri më sot, por dhe idealet dhe përkushtimin që të rikthehen në forcë konkurruese. Ambiciet e mia është e vështirë të vishen me kostume të caktuara. Nuk jam i ri, ambicioz që zë një kolltuk e nuk e lëshoj. Jam tjetërlloj dhe e ndjej veten në kulmin e së mirës, kur investimi personal sjell mirëqenien e përgjithshme.

Nëse rama humb në 2011, do kërkoni të ktheheni në krye?

Rama humbi zgjedhjet e përgjithshme, dhe nuk po largohet. Rama nuk largohet me humbjen në zgjedhje lokale, ai duhet zbuar me zgjedhje nga cilido

Potencialisht jam kandidat potencial për bashkinë e Tiranës.

Kush do ju kandidoj?

Ti mendon se Nano e ka vështirë të gjej mbështetjen elektorale për të kandiduar. Nuk jam bërë asnjëherë me paratë apo mbështetjen e kundërshtarëve. Të gjitha palët do t'i bënit ndryshe llogaritë, nëse Nano hyn në fushë.

Rama akuzon se Beerisha, Meta dhe Ju jeni bashkuar?

Nuk duhet të jetë mirë edhe nga gjendja e funksioneve vitale, për shkak të humbjes. Si është e mundur të prodhojë vazhdimisht armiq, në fillim një, pastaj edhe Metën, pastaj edhe mua. Se në ditët e para thoshte i binte kokës me grushte dhe Fatos Nano ç'më bëre. Ja kam thënë në sy të gjitha, atij dhe të Gjithëve. Edhe bashkëpunëtorëve të tij. Këta po i mbyllin derën dhe medias, se kanë hall se mi thonë mua.

Do jeni ju i gatshëm të përballeni me Ramën, ta ndalni?

Absolutisht po. Do të përballem në të gjitha nivelet për ta ndalur aventurierin Rama.

FUND

Marrë nga "Koha Jonë"

KOMENTE