Pitsburg, 25 shtator, NOA - Liderët e 20 vendeve më të fuqishme ekonomike kanë paraqitur në Samitin e Pitsburgut një projekt, i cili parashikon mbështetje ekonomike ndaj gjendjes së emergjencës, deri sa bota ta rimarrë plotësisht veten prej efekteve të krizës.
Ndërkaq, bëhet e ditur se gjatë punimeve të këtij samiti përfaqësuesit e G-20 kanë arritur edhe një marrëveshje për ndryshimin e të drejtës për votim në Fondin Monetar Ndërkombëtar të vendeve me nivel të ulët përfaqësimi.
Sipas presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso kjo marrëveshje do t'u garantojë fuqive ekonomike në zhvillim një zë më të plotë në institucionin financiar global.
Duke patur në fokus të tij rregullatorët financiarë dhe ndryshimin e klimës, Samiti i Pitsburgut synon të vendosë rregulla të reja loje tani që kriza duket se ka kalur, por që duhet patur ende kujdes me efektet e saj.
Por edhe si herët e tjera, takimi i G-20 është shoqëruar me disa demonstrata, ku forcat policore të ndërhyrjes janë përleshur me qindra protestues.
Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë të paktën njëmijë demonstrues që ishin mbledhur rreth një kilometër larg vendit ku mbahet samiti.
Disa prej demonstruesve protestonin kundër kapitalizmit, ndërsa të tjerë mbanin banderola anarkiste. Por atmosfera brenda Samitit nuk u prek nga trazirat jashtë tij.
n.e/NOA