Tiranë, 25 shtator NOA - Një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve për kreun e Partisë Socialiste, Sekretari i Organizimit, Blendi Klosi ka dalë në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës i bënë thirrje socialistëve të shkojnë në votime për të zgjedhur liderin që do të udhëheqë partinë drejt fitores.
"Të shtunën, më 26 shtator, është një ditë e shënuar për Partinë Socialiste, që kurorëzon me votimin në të gjithë anëtarësinë e vet fushatën e zhvilluar gjatë këtij muaji për zgjedhjen e Kryetarit të partisë.
Zgjedhjet e së shtunës, janë një moment që e dallon qartësisht Partinë Socialiste nga të gjitha forcat e tjera politike në vend dhe që përbën një shprehje të padiskutueshme të demokracisë së saj të brendshme, si një realitet i prekshëm nga të gjithë.
Unë jam këtu për t'i ftuar të gjithë socialistët shqiptarë, që të shtunën e 26 shtatorit të shkojnë në votim në qendrën e bashkisë apo të komunës së tyre, për të shprehur me votë mendimin për rrugën ku duhet të ecë Partia Socialiste në 4 vitet e ardhshme dhe për liderin që duhet ta udhëheqë atë drejt fitores së sigurt me pushtetin e korruptuar të çiftit Berisha-Meta, të cilët me votat e grabitura të 28 qershorit, po e zhytin Shqipërinë në një krizë të thellë politike e ekonomike." tha Klosi.
"Në 26 shtator, të gjithë socialistët duhet të votojnë për cilindo nga kandidatët në garë, duke garantuar një proces të lirë e të ndershëm, dhe duke i dhënë një shtysë të fortë përpara Partisë Socialiste në këtë moment kur politika po rrokulliset mbrapa, duke u dhënë shqiptarëve përditë shembuj të këqij të imoralitetit e të moskokëçarjes së plotë për hallet e për shpresat e tyre.
Për një parti të fortë dhe fituese, për një opozitë të fortë dhe besnike ndaj njerëzve të thjeshtë, për një forcë politike që lufton për parime e vlera, që politika në Shqipëri po i harron e shkel dita-ditës, socialistët në 26 shtator do të tregojnë me këto zgjedhje të përgjithshme brenda partisë, se janë në lartësinë e sfidave të mëdha të kohës së vështirë që kalon sot vendi" shtoi më tej Klosi.
Sipas tij, procesi do të jetë transparent dhe do të zhvillohet pranë çdo bashkie dhe komune.
Janë 400 qendra votimi në gjithë Shqipërinë dhe Klosi ka ftuar në votime rreth 82 mijë socialist, të cilët do të votojnë me parimin "1 anëtarë 1 votë" për kryetarin e ri.
Orari i votimeve do të jetë 08.00-16.00.
Rezultati do të dalë nga Komisioni i Zgjedhjeve në parti, në komunikim të vazhdueshëm me mediat.
k.k/NOA