English

Operacioni "Viroi" kap 100 gramë kokainë, arrestohet poseduesi

Gjirokastër, 25 shtator, NOA - Në vijim të operacioneve për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, policia e Gjirokastrës ndërmori operacionin e radhës, të titulluar "Viroi", me rezultat sekuestrimin 100 gramë lënde narkotike e tipit kokainë.

Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se nga qyteti i Fierit në drejtim të Gjirokastrës po lëvizte një automjet tip Benz i cili po transportonte një sasi kokaine, policia ndërmori menjëherë

operacionin "Viroi".

Si rezultat i tij, u bë e mundur që në vendin e quajtur "Liqeni i Viroit", të bllokohej automjeti tip Benz, targa DL 32 37 A, me drejtues 40-vjeçarin Petro Kuçin, lindur dhe banues në fshatin Bajkaj të Delvinës.

Gjatë kontrollit të ushtruar, në kroskotin e këtij mjeti në një çantë të vogël që shërbente për mbajtjen e dokumentave të makinës, brenda saj u konstatua një qese plasmasi transparente ku brenda së cilës ndodhej një sasi rreth 100 gramë lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike si dhe automjeti tip Benz, ndërsa Petro Kuçi u arrestua në flagrancë për veprën penale "Prodhim dhe shitje të narkotikëve", parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal dhe materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE