Shkup, 25 shtator NOA-Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare ka shpallur të premten listën e personave të padëshirueshëm, të cilëve u ndalohet kthimi në këtë parti.
Krerët më të lartë të PDSH-së vendosën linjën e zezë për disa emra dhe ish-deputetë të saj që braktisën radhët e kësaj partie dhe shkuan në parti tjera. Në këtë listë emrash janë përfshirë: Imer Selmani, Daut Rexhepi, Sulejman Rushiti, Flora Kadri, Abedin Zymberi dhe Besim Dogani.
Nisma për këtë vendim është bërë nga një grup anëtarësh të kryesisë qendrore, ku u kërkua që këta individë të mos kthehen asnjëherë në PDSH.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka theksuar se vendimi i kryesisë ka qenë i prerë, edhe përkundër asaj se të gjithë deputetët e larguar kanë dërguar njerëz që të ndërmjetësojnë tek ai personalisht që t'i rikthejnë në PDSH.
Nga ana tjetër, anëtari i kryesisë qendrore të PDSH-së, Imer Aliu ka theksuar se nuk mund të kthehen në gjirin e partisë amë njerëz që janë në shërbim të strukturave sekrete për shkatërrimin e kësaj partie.