Tiranë, 25 shtator NOA - Operacioni i koduar "Energjia e Ndërprerë" ka çuar në qeli dy punonjës të OSSH-së, Dega Lezhë pasi akuzohen për ryshfete.
Aksioni i organizuar sot nga Drejtoria kundër Krimit-Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Lezhë dhe Drejtorinë e Policisë se Qarkut Lezhë u finalizua me prangosjen e Viktor Ujka, 45-vjeçe me detyrë Kryetari i Degës së Shitjes së OSSH, dega Lezhë, me arsim të lartë dhe Gjovalin Prenga, 57-vjeç me detyrë faturist dhe specialist për ndërprerjen e energjisë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se dy të arrestuarit për një periudhë prej rreth dy vjetësh e kanë detyruar një subjekt tregtar që t'u jepte ryshfet në një shumë prej 800 000 lekë në çdo muaj.
Kjo shumë merrej nga Ujka dhe Prenga në këmbim të faturimit afrofe të energjisë elektrike për një vlerë më të vogël nga sa konsumonte.
Sipas policisë e cila deklaron, dëshminë e të dëmtuarit, subjekti tregtar kërcënohej se në rast se nuk do të paguante 800 mijë lekë ryshfet, do t'i ndërpritej energjia elektrike dhe do të kishte faturime shumë të larta. Arrestimi u krye sot në zyrën e OSSH, dega Lezhë, pasi i kanë marrë subjektit tregtar shumën e 500 mijë lekëve si ryshfet për muajin gusht, ku disa ditë më parë i kishin marrë edhe 300 mijë lekë, në këmbim të lidhjes së energjisë elektrike. Ndaj Viktor Ujkës dhe Gjovalin Prengës u mor masa e arrestit për veprën penale të "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" e kryer ne bashkëpunim.
k.k/NOA