Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 25 shtator NOA - Vrulli që mori monedha evropiane një ditë më parë duket se është ndalur sot në tregun valutorë.
Gjatë së premtes një euro ka qëndruar në kufijtë e 137 lekëve, duke rënë me afro 3 pikë krahasuar me pasditen e të enjtes, kur arriti nivelin më të lartë, prej 140 lekësh. Megjithatë, agjentet e tregut valutor, thonë se situata është ende e pasigurt dhe luhatjet mund të vijojnë.
Niveli që arriti euro një ditë më parë konfirmon faktin se situata ishte një spekulim i tregut nga agjentët ekonomikë.
Por pavarësisht kësaj, ky forcim vjen edhe si pasojë e konjokturave ndërkombëtare, ku monedha evropiane paraqitet e fortë edhe përballë dollarit amerikan.
Deputeti i Partisë Demokratike Sherefedin Shehu, njëkohësisht ekspert ekonomike argumenton, se kjo situatë është e përkohshme dhe spekulative, ndaj sipas tij nuk ka vend për panik.
Shehu thotë se në një vend ku kursi i këmbimit është i lirë gjithkush mund të ndërhyjë për të fituar, por një gjë është e rëndësishme, se leku ka treguar që është një monedhë rezistente përballë valutave.
Shqiptarët duhet të bëjnë mirë llogaritë, pasi të ardhurat dhe shpenzimet i kanë në lekë, ndaj duhet të tregojnë më shumë besim tek monedha vendase.
Kush kërkon të pozicionohet në momente të tilla bën gabim, kur kursi ka luhatje anormale riskun e merr për sipër profesionisti dhe jo individi i thjeshtë.
Por në rast se konsumatori është vënë përballë dilemës se në çfarë monedhe ti mbajë kursimet, eksperti Adrian Civici thotë se nga këto luhatje momentale fitojnë vetëm ata, që kryejnë transaksione të mëdha.
Këshillohet që në kushte të tilla, sidomos qytetaret por edhe biznesi me kursime minimale të vijojë aktivitetin normal pa u ndikuar nga luhatjet. Por si dilet nga ky rrezik?
Për ekspertet ka ardhur koha, që qeveria të mendojë seriozisht për të mbështetur ata sektorë që gjenerojnë valutë.
Nëse do të zhvillohej sektori i bujqësisë, atëherë do të rritej prodhimi vendas dhe rrjedhimisht do të ulej niveli i importeve.
Ndërkohë rritja e eksporteve apo zhvillimi i turizmit mbeten dy sektorët, që do të stabilizonin kursin e këmbimit, pasi ndikojnë në prurjet valutore.
Të ardhurat nga emigrantet nuk konsiderohen më shtylla e ekonomisë shqiptare, që furnizon vendin me euro.
r.l/NOA