Nju Jork, 25 shtator NOA-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama e ka akuzuar Iranin se prej disa vitesh po ndërton uzinë të fshehtë për karburant bërthamor.
Obama i ka kërkuar  Teheranit të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për mosproliferimin bërthamor.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp bashkë me kryeministrin britanik Gordon Broën dhe presidentin francez Nikolas Sarkozy në samitin e G20 në Pitsburg, presidenti Obama i bëri thirrje Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) që menjëherë ta hetojë informacionin.
"Ekzistenca e kësaj uzine tregon mosgatishmërinë e Iranit që t'i përmbushë detyrimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kërkesat e agjencisë.
Presim që ANEB menjëherë t'a hetojë këtë informatë shqetësuese dhe t'i raportojë Bordit të guvernatorëve të agjencisë", tha presidenti Obama.
Presidenti amerikan i quajti aktivitetet e Iranit "sfidim direkt" të regjimit të mospërhapjes së armëve bërthamore, dhe tha se është koha që Teherani të veprojë menjëherë për ta rikthyer besimin e bashkësisë ndërkombëtare.