Prishtinë, 25 shtator NOA-Qeveria e Kosovës ftoi sot organizatat e ndryshme ndërkombëtare të monitorojnë zgjedhjet e 15 nëntorit, për të garantuar që ato do të jenë të lira dhe demokratike.
Në mbledhjen e sotme, kryeministri Thaçi u shpreh se në emër të qeverisë ka kërkuar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare që të vijnë në Kosovë dhe të monitorojnë zgjedhjet.
"E ritheksoj se janë të ftuar nga Qeveria sa më tepër vëzhgues ndërkombëtarë, sa më tepër prezencë e këshilla profesionale, në mënyrë që të kemi një proces plotësisht të suksesshëm", u shpreh Thaçi.
Kryeministri Thaçi theksoi se Qeveria do t'i kryejë të gjitha detyrimet që ka ndaj institucioneve të pavarura për organizimin e zgjedhjeve.
"Këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shtetin tonë.
Janë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur.
Është inkurajues pjesëmarrja e shumë subjekteve politike, kandidatëve të pavarur.
Është një mesazh shumë i fuqishëm për realitetin e Kosovës së pavarur, sepse në këto zgjedhje do të marrin pjesë për herë të parë më së shumti subjekte të minoriteteve, veçanërisht atij serb", shtoi ai.