Nga Blerina Ahmetaj
Tiranë, 26 shtator NOA-Abortet vazhdojnë të regjistrojnë shifra të larta sidomos në zonat rurale, megjithë metodat e kontracepsionit që kanë nisur prej vitesh të aplikohen në vendin tonë.
Mjekja gjinekologe në qendrën e Shëndetit të Gruas pranë maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë, Vjollca Tare, thotë për agjencinë e lajmeve NOA, se një nga shkaqet është mungesa e informacionit për metodat mbrojtëse nga shtatëzania e padëshiruar."Nuk mund të them me saktësi nëse shifrat e abortit janë në rritje apo janë ulur, por them se jemi në nivel të qëndrueshëm, por metodat e kontracepsionit nuk shtrihen në gjithë vendin.
Gratë që vijnë nga zonat rurale ende mbeten target grupi që kryen më shumë aborte e një prej arsyeve është pamundësia për të thithur informacionin mbi metodat mbrojtëse që shmangin abortin", tha gjinekologia.
Sipas mjekes, një arsye mbetet dhe mungesa e specialistëve gjinekologë deri në zonat e thella malore.
"Kjo bën që grave t'i kushtojë shumë ekonomikisht vizita tek specialisti, pasi të mos përdorësh kontraceptivë sot, do të thotë të mos dish të kujdesesh për veten", u shpreh mjekja Tare.
Ndryshe nga moshat e mëdha, mjekët specialistë vërejnë se më të interesuara për përdorimin e kontraceptivëve janë vajzat e reja.
"Është një gjë pozitive që një vajzë e cila ka nisur një marrëdhënie seksuale të mbrohet përmes metodave mbrojtëse.
Për të gjithë ata që ende kanë ndrojtje të nisin metodat, duhet thënë se kontraceptivët nuk kanë asnjë rrezik për jetën e gruas, në të kundërt ato e mbrojnë atë nga pasojat që i sjell aborti", thonë mjekët.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, aktualisht metodat e kontracepsionit përdoren nga 8 për qind e grave, shifër kjo e cilësuar mjaft e ulët.
Aktualisht në mbi 400 qendra shëndetësore, këto metoda ofrohen falas.