Nju Jork, 26 shtator, NOA - Në vijim të vizitës së tij në Nju York, kryeministri Berisha, zhvilloi një takim me Presidentin e Bosnjë-Hercegovinës, Zeljko Komsic.
Sipas të dhënave zyrtare për agjencinë e Lajmeve NOA, gjatë takimit të dy të pranishmit u shprehën se është një kënaqësi që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, veçanërisht ato politike.
Në kuadrin e kësaj, të dyja palët ranë dakord, gjatë bisedës, që të punohet përmes vizitave të nivelit të lartë, për intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik me interes të përbashkët, në kuadër të një bashkëpunimi mjaft të rëndësishëm rajonal.
Kryeministri Berisha theksoi se Bosnjë-Hercegovina ka bërë hapa përpara në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe Shqipëria do të mbështesë integrimin e saj në strukturat euroatlantike.
Gjithashtu, të dy përfaqësuesit e këtyre vendeve nënvizuan se Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina ndajnë bashkë objektivin madhor të anëtarësimit në NATO dhe si rrjedhim edhe përmbushjen e standardeve dhe kritereve për realizimin e këtij objektivi, ndaj bashkëpunimi dhe ndarja e eksperiencës reciproke është shumë e rëndësishme.
Ndërsa në lidhje me aspektin ekonomik, u tha se të dyja vendet kanë potenciale të mëdha bashkëpunimi dhe  projektet rajonale duhet të jenë intensive dhe të shfrytëzojnë këto potenciale.
Nga ana e tij, presidenti i Bosnjë-Hercegovinës falënderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO dhe u shpreh se rruga e përbashkët duhet të jetë drejt Bashkimi Evropian dhe se ai mbështeste projektet rajonale të cilat do të ndihmojnë në realizimin e këtyre qëllimeve madhore.
n.e/NOA
Â
Â
Â