Tiranë, 26 Shtator NOA - Një transformator është përfshirë nga flakët duke zhytur në errësirë të plotë zonën periferike të Tiranës, në Babrru dhe Paskuqan, informojnë për agjencinë e lajmeve NOA, burime policore që shkuan në vendngjarje.
Nga hetimet e para, mësohet se mbrëmjen e djeshme, persona të cilët mbeten të paidentifikuar, kanë hedhur një tel, tek linja 6000 V, në lokalin e qytetarit A.S., në Kodër e Kuqe të Babrrusë, duke shkaktuar lidhje të shkurtër.
Për pasojë është djegur transformatori i energjisë elektrike, duke lënë pa energji të gjithë zonën Babrru - Paskuqan.
Policia tha se po heton mbi ngjarjen dhe ka marrë në pyetje edhe elektricistin e zonës, si dhe punonjës të tjerë në OSSH të cilët pohuan se vlera e dëmit arrin në 600 mijë lekë të rinj, ndërsa tha se po merren masa për riparimin e dëmit.
Mësohet se për ngjarjen kanë nisur hetimet, por policia është e paqartë për shkaqet që çuan autorët ende të panjohur, të shkaktojnë djegien e transformatorit, duke provokuar qark të shkurtër pranë lokalit ku nuk u konstatuan dëme materiale.
e.r/NOA
Â