English

Efektet drejt qëllimit

Princi Wilhelm von Oranien në dramën Egmont-i të J.W. Goethe-s. A nuk është kjo e vërtetë edhe për 21 aktivistët e VETËVENDOSJE!-s? Për 25 xhipa të përmbysur më 25 gusht, atyre iu ndanë tashmë mbi 5 vjet burg. 63 muaj burg gjithsej ende pa u dënuar. Ky është dënimi para dënimit (që i pret). Ky është ndëshkimi para dënimit, ndëshkimi që i paraprin gjykimit

Nga Albin Kurti Në paraburgim je ende i pafajshëm. Paraburgimi është periudha kur i hetojnë të dyshimtit. Paraburgimi është papërsosmëria e sistemit: s'je i lirë anipse s'je fajtor. Vazhdimi i paraburgimit është vazhdim i gjendjes së pafajësisë. Mirëpo, sa më gjatë që të mbajnë në paraburgim, aq më shumë gjykata ia rrit vetes gjasat të të shpallë fajtor në fund. Sepse, ajo nuk do që të diskreditohet, e aq më pak të paguajë dëmshpërblime. Kjo është mënyra se si gjykata e kushtëzon vetveten. Ajo e rrezikon autoritetin e vet për ta konfirmuar menjëherë më pas pacenueshmërinë e vet. Nevoja për t'i dënuar të dyshimtit që s'ishin të lirë, kontribuon në fajësinë e tyre. Hetimi është procedurë fajësimi. Prej Carl Bildit dhe Cristina Gallachut e deri te Pieter Feithi dhe komunikatat e EULEX-it, kërkohej dënimi sa më i ashpër i aktivistëve. Ndërkohë që ata tashmë po i dënonin aktivistët me fjalor gjykatësish. Politika e ndërseu prokurorinë. Vendimi politik i parapriu hetimeve. Prokurorisë dhe gjykatës iu kishte mbetur ta legalizonin qëndrimin politik të regjimit ndërkombëtar. Nuk është EULEX-i mision teknik. Prokuroria dhe gjykata komunale e Kosovës përfunduan në mision që ishte veçse teknik. EULEX-i i ka filluar negociatat me Beogradin edhe për dy protokolle të tjera për gjyqësi e dogana. Njëkohësisht që i bën trysni Policisë së Kosovës për të pranuar të ashtuquajturin memorandum të mirëkuptimit. Me këtë memorandum EULEX-i do të fitonte qasje në informatat sekrete të Policisë së Kosovës që do të mund t'i nevojiteshin ministrit të brendshëm serb, Ivica Daçiq, gjithnjë sipas protokollit të nënshkruar. Shumë dëm e padrejtësi do t'i bëjë EULEX-i Kosovës përgjatë vjeshtës së këtij viti. Dhe, ai e di mirë këtë gjë. Prandaj duan t'i frikësojnë njerëzit duke ndëshkuar VETËVENDOSJE!-n. Në Kosovë bëhen dëme materiale të tjera shumë më të mëdha se sa ato të 25 gushtit. Por, nuk alarmohet politika dhe nuk ka këso ndëshkimesh sikurse për xhipat e EULEX-it. Ata nuk e kanë hall dëmin material, por arsyen politike prapa dëmit. Na quajtën vandalë pikërisht pse nuk jemi të tillë: vandalët thyejnë e shkatërrojnë pa qëllim politik dhe zbrazin frustrimin e tyre pa përzgjedhur aq objektet që i dëmtojnë. Jo sikurse ne. Etiketa e vandalizmit ishte orvatje për depolitizimin e aksionit tonë protestues. Mirëpo, EULEX-i e di që vetëm frikësimi i popullatës nuk mjafton. Duhet pak edhe argëtim shpërqendrues. Disa javë para se të fillojë zyrtarisht fushata parazgjedhore, inkurajohen zërat e parafushatës: prej analistëve që qesin fall e deri te politikanët që i kapën defat për t'i paralajmëruar kandidatët e tyre në sfilatë. Duket që as kjo s'është parë si e mjaftueshme. Numri i njerëzve që nuk ekzaltohen nga zgjedhjet lokale dhe as nuk ndjehen të frikësuar sa duhet, megjithatë, është shumë i madh. Mbase për t'i lëkundur këta, duhet edhe ca balancim. Dhe, kërcet lajmi. Të mërkurën, mediat e Kosovës u vërshuan nga njoftimi për katër serbët nga Artana që ishin arrestuar si të dyshimtë për krime lufte. Por pse ky duhej të ishte lajm i parë gjithandej? Pse gjithë ky pompozitet, i cili tejkalonte nevojën për ta mbuluar lajmin për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për 21 aktivistët? A nuk do të duhej të ishte ky një lajm i zakonshëm për arrestimin e kriminelëve të luftës nga EULEX-i? Sepse EULEX-i këtë punë thuhet që e ka, apo jo? Rëndësia që iu dha arrestimit të 4 serbëve tregon se sa i pabesueshëm ishte ky lajm. Sasia e informacionit qëndron në proporcion të zhdrejtë me gjasën e informatës. Aq e keqe është përvoja jonë kolektive me regjimin ndërkombëtar gjatë kësaj dekade të pasluftës saqë nuk prisnim se do të merren ndonjëherë me atë që na kishte ndodhur gjatë luftës. Megjithatë, ndoshta është herët të entuziazmohemi. Përvoja me UNMIK-un, por edhe ajo e deritanishmja me EULEX-in, na tregojnë se arrestimet përfundojnë si marketing. Nuk janë billboard-at të integrueshëm në aksionin e arrestimit të katër serbëve por anasjelltas: billboard-ave iu shtua edhe ky videospot i lajmit për arrestime (që tradicionalisht nuk kanë përfunduar me dënime). Sido që të jetë, kurrë nuk do ta kishim këtë arrestim pa këtë trysninë mbi EULEX-in në fund të gushtit dhe në shtator. Pa kritikat, aksionet protestuese e demonstratën kundër tij, EULEX-i nuk do të ndjente nevojën të përpiqej për drejtësi për viktimat e luftës sikurse që as nuk e ka ndjerë këtë gjë deri më tash. Nuk besoj që pikërisht tani u grumbulluan faktet për këta katër të dyshuar. Janë me qindra të dyshuar të tjerë për të cilët ka kallëzime penale që prej vitesh. Ka tepri faktesh, vullneti është ai që ka munguar. Prandaj, për ata 12. 000 civilë të vrarë e mijëra femra të dhunuara, nuk do të ketë arrestime të reja kriminelësh. Përderisa të mos ketë trysni të re, natyrisht. Nuk ka drejtësi në këtë botë për njerëzit që e presin drejtësinë. As në të kaluarën, qoftë ajo e paraluftës apo e para një viti, nuk ka qenë ndryshe. Më 2 tetor 1997 nuk u liruan objektet universitare. 20. 000 studentë dhe 1. 000 profesorë kishin protestuar një ditë më parë. 100. 000 qytetarë i kishin pritur nëpër trotuaret e Prishtinës, anash rrugëve ku studentët s'arritën të marshonin. Nuk u arrit qëllimi. As ai operativ (i marshimit), e as ai strategjik (i lirimit të objekteve). Porse, efekti doli të jetë shumë i rëndësishëm. U thye heshtja kolektive, dhe politika në Kosovë e për Kosovën ndryshoi cilësisht. Me 19 nëntor 2008 dolën 30. 000 veta, kurse dy javë më pas dolën 40. 000 veta, në demonstratat kundër 6 Pikëshit të Ban Ki-moon-it. Siç dihet, nuk u arrit qëllimi - 6 Pikëshi u miratua. Ama zbatimi i tij u shty shumë dhe faktorët ndërkombëtarë nuk mund ta shikonin Kosovën me të njëjtit sy që e kishin parë atë para demonstratave. Shumica dërrmuese e protestave dhe demonstratave nuk e arrijnë qëllimin e tyre. Porse ato asnjëherë nuk mbesin pa efekte (shpesh edhe aso të pamenduara më herët). Drejt realizimit të qëllimit, pjesë e suksesit janë edhe efektet që arrihen përgjatë rrugës. Të reagosh ndaj padrejtësive gjithmonë ia vlen. Edhe atëherë kur s'ta merr mendja.

KOMENTE