Tiranë, 26 Shtator NOA - Një studim i kompanisë prestigjioze ndërkombëtare, i publikuar këto ditë në mediat e huaja, ka evidentuar dhjetë kompanitë më të mëdha në Shqipëri.
Raporti i realizuar nga Deloitte Central Europe në bashkëpunim me Deloite Albania, evidenton se Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), është në vendin e parë më e madhja në vend, e po ashtu, e para dhe si kompani shtetërore më e madhe në vend.
Ndërkohë, kompania më e madhe private shqiptare, rezulton AMC (Albania Mobile Communications), e cila është dhe kompania e parë e telefonisë celulare në Shqipëri, krijuar në fund të vitit 1995.
Në listimin e dhjetë kompanive më të mëdha në vend që u publikua edhe në Shqipëri nga revista ekonomike "Monitor", renditja e plotë paraqitet në foto si dhe më poshtë:
Ndërkohë, kompania Deloitte and Touche, ka publikuar dhe renditjen e 500 kompanive më të mëdha të Europës Qendrore, një renditje e kryer nga grupi i konsulencës Deloitte Central Europe dhe gazeta e përditshme polake e biznesit, "Rzeczpospolita".
500 kompanitë më të mëdha në rajonin e Ballkanit.
Për të dytin vit rradhazi, revista "Monitor" publikon ekskluzivisht renditjen e 500 kompanive më të mëdha të Europës Qendore si dhe të 10 kompanive më të mëdha shqiptare (Deloitte Central Europe në bashkëpunim me Deloite Albania), një renditje e kryer nga grupi i konsulencës dhe gazeta e përditshme polake e biznesit, "Rzeczpospolita".
Ekonomia aktualisht në Shqipëri
Gjatë katër viteve të fundit, qeveria u përpoq të ulte koston e të bërit biznes, duke reduktuar taksën korporative, taksat e biznesit të vogël dhe kontributet e sigurimeve shoqërore që paguhen nga punëdhënësi, po ashtu dhe heqjen e tarifave doganore për makineritë dhe pajisjet.
Pjesërisht si rrjedhojë e këtyre, raporti "Të bësh biznes 2009" i Bankës Botërore e renditi Shqipërinë në vendin e dytë në botë për sa i përket nivelit të reformave të ndërmarra për të përmirësuar klimën e biznesit gjatë vitit që përfundoi në qershor 2008.
Rreth 51.3% e popullsisë prej 3.1 milionësh të vendit është e klasifikuar si ekonomikisht aktive. Papunësia në nivelin 12.7 për qind në vitin 2008 shihet si një nga sfidat më domethënëse me të cilat përballet Shqipëria, megjithëse ky nivel është konsiderueshëm më i ulët se 16.4% i shënuar në vitin 2001.
Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri llogaritet në 311 euro, me bujqësinë që zë ende peshën më domethënëse të punësimit. Burimet e shumta natyrore të vendit, përfshirë ujin, naftën, qymyrin, boksitin, xeheror hekuri dhe nikelin, e bëjnë vendin tërheqës për investitorët e mundshëm vendas dhe të huaj.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e vendeve evropiane, Shqipëria vazhdoi t'i gëzohet një rritjeje të fortë të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2008, duke shënuar një mesatare rritjeje prej 6 përqindësh në vit. Rritja u orientua nga një përmirësim i ndjeshëm në situatën e furnizimit me energji në vend, shitjeve të suksesshme të energjisë në Kosovë dhe zgjerimit të shpejtë të disponueshmërisë së kreditit. Faktorë të tjerë që kontribuuan ishin telekomunikacionet, shërbimet dhe shpenzimet kapitale të qeverisë, kryesisht për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës.
Panorama për vitin 2009 është më pak e favorshme, megjithëse vendi ka ende të ngjarë që të shënojë rritje. Kjo situatë mbetet në mënyrë të konsiderueshme më e mirë në krahasim me fqinjët, pavarësisht recesionit në Eurozonë, një reduktimi të mundshëm të parave të dërguara në shtëpi nga shqiptarët që punojnë jashtë dhe një rënieje në disponueshmërinë e kreditit.
Sipas INSTAT-it, sektori industrial vuajti më shumë se të tjerët nga kriza, me një rënie të prodhimit industrial me 13.2 për qind me bazë vjetore gjatë tremujorit të parë të 2009-ës. Ekonomia shqiptare përfitoi nga shpenzimet e larta qeveritare gjatë gjashtë muajve të parë të 2009-ës. Mungesa e tyre mund të ndikojë negativisht rritjen ekonomike në gjysmën e dytë të vitit.
Edhe në kontekstin e një rritjeje të vazhdueshme, Shqipëria e ka mbajtur inflacionin nën kontroll me një rritje prej 3.4 përqindësh në vitin 2008. Rëniet e çmimeve në tregun ndërkombëtar të naftës dhe mallrave e kanë mbajtur atë të ulët në vitin 2009 dhe tashmë pritet që nivelet e tij të jenë mesatarisht nën 2 për qind në 2009-2010, shumë poshtë nivelit maksimal prej 4 përqindësh të Bankës së Shqipërisë.
Monedha vendase, leku, mbajti një pozicion të qëndrueshëm kundrejt euros për të gjithë vitin 2008 (në një mesatare prej 122.8), megjithëse u zhvlerësua kundrejt dollarit në gjysmën e dytë të vitit. Të ardhurat nga taksat dhe arkëtimet nga privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore mbetën dy burimet e financimit për shpenzimet qeveritare. Gjatë vitit 2008, qeveria përfundoi privatizimin e "Albtelekomit" dhe organizoi tenderët për të privatizuar disa shoqëri të mëdha shtetërore, si ARMO (rafineria shqiptare e naftës), OSSH (Operatori i Sistem të Shpërndarjes) dhe INSIG-u (kompania shtetërore e sigurimeve). Vetëm ARMO u privatizua në vitin 2008, privatizimi i OSSH-së përfundoi në 2009-ën, ndërsa fituesi i tenderit për INSIG-un u tërhoq.
Eksportet u rritën më ngadalë se importet gjatë 2008-ës (në 2 miliardë euro, kundrejt 4 miliardë eurove), duke e rritur deficitin tregtar të vendit në - 2,654 milionë euro. Tregjet kryesore të huaja të Shqipërisë janë Italia, Gjermania dhe Greqia, të cilat blejnë një pjesë të madhe të eksporteve të vendit, që kryesisht përmbajnë metale, minerale, tekstile, këpucë dhe materiale ndërtimi.
Deficiti i llogarisë korente arriti një nivel rekord prej 15% të PBB-së në vitin 2008. Rënia në prurjet e emigrantëve, që ka qenë një nga burimet kryesore të financimit të këtij deficiti në vitet e fundit, pritet të gjenerojë presion negativ. Shpenzimet qeveritare kanë mbështetur sektorin e ndërtimit, duke filluar nga projekte të tilla si autostrada Durrës-Morinë në portet më të mëdha detare në Shqipëri, në shumë skema të tjera më të vogla për të përmirësuar infrastrukturën ekzistuese të transportit.
Deficiti i buxhetit arriti në 5.6% të PBB-së në vitin 2009, në rritje nga 3.4% e PBB-së në 2007-ën, për shkak të punimeve të mëdha në infrastrukturë (veçanërisht për autostradën Durrës-Kukës).
Katër sektorët më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare janë shërbimet, telekomunikacioni, bujqësia dhe ndërtimi. Nga këto, sektori me rritjen më të shpejtë ishte telekomunikacioni, teksa vendi po lëviz drejt një tregu tërësisht të liberalizuar dhe konkurrues. Zhvillime kyçe në vitin 2008 përfshinë privatizimin e aksioneve të mbetura shtetërore në kompaninë e përbashkët AMC sh.a dhe dhënia e licencës së tretë GSM tek "Eagle Mobile". Licenca e katërt GSM iu dha në vitin 2009 një konsorciumi ku përfshihej Postë Telekomunikacioni i Kosovës.
Rajoni
Për më shumë se një dekadë që prej viteve 1990, Europa Qendrore (EQ) është cilësuar si një nga rajonet më të parapëlqyera për ekonomitë globale, me një situatë makroekonomike të qëndrueshme dhe rezultate të fuqishme për shumë kompani perëndimore që veprojnë dhe investojnë në të.
Por, rajoni u godit keqazi nga kriza e kredive e vjeshtës 2008 dhe pastaj mori një tjetër goditje në shkurt 2009, kur agjencia vlerësuese ‘Moody's' publikoi një raport negativ mbi situatën e borxhit në rajon, duke bërë që PBB-ja dhe prodhimi industrial të shënonin rënie.
Në atë kohë, një shpjegim i gjithë kësaj situate mund të ishte: ‘Vendet e EQ-së nuk mund ta paguajnë menjëherë borxhin e tyre, nuk do të jenë në gjendje dhe si rrjedhojë, i gjithë rajoni do të dështojë. Bankat austriake dhe italiane janë shumë të ekspozuara, gjë që do të çojë në falimentimin e tyre dhe ekonomive të tyre. Bankat europiane u përmendën si veçanërisht të brishta, duke qenë se ato mbanin 74% të portofolit prej 5 trilionë USD, të borxhit të vendeve në zhvillim. Ekspozimi i bankave austriake kundrejt borxhit të EQ-së u konsiderua si 80% e PBB-së të vendit'. Këto nuk ishin ditët më të mira jo vetëm për rajonin, por për mbarë globin.
Ndërsa kohët ishin (dhe janë ende) të vështira, për fat të mirë një pjesë e madhe e sjelljes së javëve të para të 2009-ës ishte e lidhur me lëvizjet ekstreme financiare, që rezultuan si rrjedhojë e panikut që u krijua në treg. Një sërë faktorësh që me shpejtësi ndikuan në zbutjen e panikut ekonomik mund të jenë:
• Tregjet financiare kuptuan se jo të gjitha borxhet/detyrimet duhet të paguheshin menjëherë
• Disa/një pjesë e mirë e borxhit mund të ristrukturohej, rinovohej menjëherë pas maturimit ose të rikapitalizohej
• Në mënyrë të rëndësishme, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe Bashkimi Europian (BE) deklaruan qartë se do të mbështesin financiarisht rajonin e EQ-së. Në çdo rast, ky ishte një tregues shumë i rëndësishëm për stabilitetin e këtyre tregjeve, të cilat ishin duke e rimarrë veten në vendet e tjera, në të cilat ato vepronin.
Ishte e dukshme se bankat europiane nuk do të "braktisnin" rajonin e EQ-së apo tërhiqnin degët e tyre nga ky rajon. Këto degë janë kaq të rëndësishme dhe janë bazë për një rritje dhe zhvillim të mëtejshëm në të ardhmen. Veç kësaj, dëmi i imazhit të shkaktuar nga ndonjë tërheqje domethënëse depozitash është i vështirë që të përballohej nga bankat.
Bankat europiane kanë pohuar se do të minimizojnë funksionet brenda strukturës së tyre organizative, për t'u përqendruar në degët më prioritare e si rrjedhim duke shkurtuar edhe numrin e punonjësve. Por, këto janë hapa, që po i ndërmarrin në përgjithësi gjithsesi dhe jo vetëm në rajonin e EQ-së.
• Një tjetër faktor që rriti besimin e tregjeve të EQ-së ishte dhe rritja e fondit të vënë në dispozicion nga FMN-ja, i deklaruar gjatë Samitit të G20-ës në prill të vitit 2009.
• Në rast mospagimi të borxhit (i cili tani ka pak gjasa të ndodhë) do të menaxhohet me mënyrën më të mirë të mundshme me ndihmë edhe nga FMN-ja, Banka Botërore dhe Banka Qendrore Europiane (BQE). Me pak fjalë, situata nuk është aq keq sa duket. Natyrshëm, mospagimi i borxhit do të shfaqet edhe në ekonomitë më pak të zhvilluara.
Si rezultat i gjithë kësaj, diferencat në kontratat CDS do të reduktohen dhe sistemi monetar do të stabilizohet.
Perspektiva e Europës Qendrore në 2009- 2010:
Tendencat e PPB në EQ CE 2008-10 (ndryshimi vjetor në %)
2008* 2009** 2010** Shqipëri 6 -3.5 2.0 Bullgari 3.5 -4.4 1.3 Kroaci 0.2 -4.5 0.7 Republika Çeke 3.0 -2.8 1.3 Estoni -3.6 -13.0 -1.5 Hungari -2.5 -6.5 0.2 Letoni -10.3 -16.0 -2.5 Lituani 3.0 -13.0 -2.5 Maqedoni 5.0 -3.5 0.7 Mali Zi 8.1 -3.5 1 Poloni 4.8 0.5/-0.5 1.3 Rumani 7.1 -4.9 1.4 Serbi 5.4 -4.2 0.5 Sllovaki 2.5 -5.2 1.1 Slloveni -0.5 -4.0 1.2 Ukrainë 2.1 -10.3 0.5*Burim: Reuters EcoWin Pro
** Daniel Thorniley, DT-Global Business Consulting GmbH