English

Shqiptarët e Nju Jorkut nderojnë Ahtisaarin për kontributin historik në pavarësinë e Kosovës

Nju Jork, 26 shtator NOA-Me pavarësinë e Kosovës u rregullua një gabim historik. Me këto fjalë i është drejtuar ish-presidenti i Finlandës dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Martii Ahtisaari,  pjesëmarrësve në ceremoninë që u zhvillua në Nju Jork nga  Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

"Sot Kosova është shtet i pavarur dhe do të mbetet gjithmonë shtet i pavarur", tha Ahtisaari.

Në mbrëmje morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Kosovës.

Kryeministri Berisha në përshëndetjen e tij vlerësoi personalitetin e Ahtisaarit, ndërsa për pavarësinë e Kosovës tha se ishte "një fitore më e madhe e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut".

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu falënderoi Ahisaarin për punën e tij si dhe vendet aleate mbështetëse të fuqishme të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në mesin e qindra pjesëmarrësve ishin edhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe të Kosovës, Ilir Meta e Skënder Hyseni, ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ish-negociatori amerikan në bisedimet për Kosovën, Frank Wisner, kongresisti Eliot Engel, zëvendësambasadorja amerikane në OKB, Rosemary DiCarlo, ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen, ish-ambasadori amerikan, William Walker, etj.

KKSHA deri tash ka nderuar personalitete të njohura me çmimin "Duarët e Shpresës" si ish-presidentin Bill Clinton, ish-sekretarët amerikanë të Shtetit, James Baker dhe Madeline Albright, ish-senatorin Bob Dole, gjeneralin Wesley Klark, etj.

Ndërkaq për vepër jetësore KKSHA nderoi fotografin e njohur Fadil Berisha për punën e tij artistike dhe filantropike në promovimin e kulturës shqiptare.

KOMENTE