English

Sot 82 mijë anëtarë të Partisë Socialiste dalin në votime për kryetarin

Tiranë, 26 shtator, NOA - Afro 82 mijë socialistë në të gjithë vendin, në bazë të parimit "një anëtar, një votë", sot do të thonë përmes votimit fjalën e tyre për kreun e ri të Partisë Socialiste.

Janë mbi 400 qendra votimi të shpërndara në të gjithë vendin, në të cilat do të votojnë të gjithë anëtarët e bazës socialiste, nga Jugu në Veri të vendit, duke zgjedhur kështu kryetarin e ri, i cili do ta drejtojë selinë rozë për katër vitet e ardhshme.

Para tij, shfaqen sfidat e zgjedhjeve lokale, si edhe përgatitjet e selisë rozë për një tjetër betejë me demokratët në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për mandatin 2013-2017.

Garat për kryetarin e ri socialist zhvillohet mes Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit, dy kandidaturave të vetme të saj, ku sipas të gjitha gjasave, i pari i ka të gjitha shanset për t'u rizgjedhur në kryesimin e Partisë Socialiste.

Ndërkaq, është bërë e ditur paraprakisht se në votime sot nuk do të shkojë pjesa tjetër e socialistëve që janë pozicionuar kundër Edi Ramës.

Përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, Ben Blushi dhe Arben Malaj e kanë cilësuar këtë votim si një farsë dhe prandaj do ta bojkotojnë atë.

n.e/NOA

KOMENTE