Berlin, 27 Shtator NOA - Për herë të parë në historinë elektorale të Gjermanisë, një ndër vendet më të zhvilluara në botë, zgjedhjet po monitorohen nga OSBE (Organizata për Sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë).
Ky fakt është në qendër të vëmendjes së mediave në Gjermani dhe pjesën tjetër të botës, për vetë faktin se OSBE vëzhgon proceset zgjedhore vetëm në shtete që konsiderohen me demokraci të brishtë, si dhe vende në tranzicion.
56 vende nga Evropa dhe Amerika e Veriut janë anëtarë të OSBE-së, dhe Gjermania është një nga kontribuueset më të mëdha.
Nisur nga fakti se misionet e OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve kanë tendencë të përqendrohen më nga afër në vende, në të cilat kredencialet demokratike janë me pikëpyetje, kjo ka bërë që disa njerëz në Gjermani të deklarojnë se misioni është i panevojshëm dhe se Gjermania nuk ka nevojë për një vlerësim të tillë.
Gjatë zgjedhjeve, janë shtuar masat e sigurisë, për shkak të disa kërcënimeve nga ana e al-Kaidës, nëpërmjet të video-incizimeve, nëse votuesit e mbështesin qeverinë, e cila premton t'i mbajë trupat në Afganistan.
Kush fiton
Hulumtimet e opinionit tregojnë se kancelarja Angela Merkel, pritet të fitojë edhe një mandat, por është e paqartë se a do të fitojë mjaft vota Partia Demokristiane e saj, që të mos ketë nevojë për partnerin aktual të kaolicionit qeverisës, Partinë Social Demokrate, të udhëhequr nga Frank-Valter Shtanjmajer, aktualisht ministër i jashtëm në qeverinë e zonjës Merkel.
Radio Dojçe Vele, evidenton se 62,2 milionë gjermanë janë thirrur sot, të dielën më 27 shtator që të zgjedhin parlamentin e ri, Bundestagun. Ky do të jetë parlamenti i pestë gjithëgjerman, që zgjidhet nga Gjermania në lindje dhe perëndim.
Mes votuesve me të drejtë vote gjenden 3,5 milionë vetë që votojnë për herë të parë. Qytetarët gjermanë do i japin votat e tyre në 88 000 qendra votimi. Këtyre u shtohen edhe 10 mijë qendrat e votimit me postë.
Partitë
Në zgjedhje u lejuan të marrin pjesë 29 parti. Gjashtë prej tyre e kanë të sigurt vajtjen në parlament, Unioni Kristiandemokrat dhe partia simotër e Bavarisë, Unioni Kristiansocial, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, Liberalët, Të gjelbrit dhe Partia e Majtë. Megjithatë asnjë nga këto parti nuk do të marrë shumicën e votave e vetme. Me siguri pas zgjedhjeve parlamentare dy ose më shumë parti do të bashkohen në koalicione.
Unioni Kristiandemokrat-Kristiansocial dhe liberalët e FDP-së përpiqen të krijojnë një koalicion mes tyre. Edhe vazhdimi i koalicionit të madh mes Unionit Kristiandemokrat dhe socialdemokratëve është i mundshëm.
Sipas llogaritjeve i mundshëm do të ishte edhe një koalicion mes tre partish, megjithatë ai nuk pranohet nga shumica e partive.
Parashikimet
Shumica e studiuesve të zgjedhjeve mendojnë se do të ketë mat, midis "kampit qytetar" të përbërë nga CDU/CSU dhe FDP nga njëra anë dhe kampit "të majtë" nga ana tjetër, i përbërë nga SPD, Të gjelbrit dhe partia e Majtë. Grupi studimor Zgjedhjet, që vlerëson votimet për televizionin e dytë gjerman ZDF, ka parashikuar fitore të koalicionit të konservatorëve dhe liberalëve.
Për Deutsche Ëellen llogaritjet e të dhënave dhe shifrave të zgjedhjeve parlamentare i bën Infratest Dimap. Bashkëpunëtorë të institutit që kanë zhvilluar javën e kaluar intervista me telefon me qytetarët, vlerësojnë se për zgjedhjet ekziston një interesim i madh. Por, një në tre qytetarë është i pavendosur kujt partie do tia japë votën.
Zgjedhësit
Edhe gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare interesimi i qytetarëve ishte i madh. Megjithatë vetëm 77.7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote dhanë në vitin 2005 votën e tyre. Rezultati ishte më i ulëti në zgjedhjet parlamentare.
Fushata elektorale u zhvillua në kohën e një krize financiare të pashembullt, e cila i shkaktoi shqetësime të mëdha pjesës më të madhe të popullsisë.
Megjithatë qytetarët nuk bëjnë përgjegjëse qeverinë për krizën. 67 për qind e të pyeturve pohuan se qeveria federale e ka drejtuar mirë Gjermaninë në kohën e krizës. Megjithatë 59 për qind druhen se ndodhen para kohërave më të këqija.
Temat më të rëndësishme për zgjedhësit janë ngritja dhe sigurimi i vendeve të punës, gjendja ekonomike, arsimi dhe politika për familjen.
Në sy të bie fakti që shumica e popullsisë e vlerëson principin e solidaritetit më lartë se principin e rendimentit dhe kërkon drejtësi sociale.