Tiranë, 27 shtator NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta është takuar në Nju Jork, ku ndodhet në kuadrin e pjesëmarrjes në Sesionin e 64-rt të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me homologun e tij indonezian Hasan Uirajuda.
Në takim u trajtuan kryesisht çështje të bashkëpunimit dypalësh, situata në rajon e në veçanti çështja e Kosovës.
Meta vuri në dukje rëndësinë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve me Indonezinë dhe vlerësoi rolin e këtij vendi në rajon e në organizmat ndërkombëtare.
Ai u shpreh për shtimin e kontakteve midis dy ministrive të jashtme në të gjitha nivelet si dhe kompletimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit reciprok.
Lidhur me çështjen e Kosovës, Meta vuri në dukje se pavarësimi i Kosovës është një fakt dhe proces i pakthyeshëm i cili ka ndikuar mjaft pozitivisht në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
Duke respektuar qëndrimin e palës indoneziane për çështjen e Kosovës, Meta shprehu dëshirën që ky realitet të njihej e reflektohej edhe në politikat e qeverisë indoneziane.
Zëvendëskryeministri Meta mori pjesë gjithashtu në disa veprimtari shumëpalëshe si Takimi Ndërkombëtar mbi Partneritetin për Sigurimin e Ushqimit dhe Takimi Vjetor i Miqve të Aleancës së Civilizimeve.
Në fjalën e tij në Forumin e Aleancës së Civilizimeve, Meta vuri në dukje punën e bërë nga qeveria shqiptare në kuadrin e realizimit të synimeve të Aleancës dhe shprehu vullnetin dhe angazhimin e qeverisë së re për të vazhduar më tej në këtë drejtim.
k.k/NOA