Kavajë, 28 shtator NOA - "Më ka humbur gruaja bashkë me dy fëmijët". Kaq ka mjaftuar që oficerët e policisë së Kavajës të angazhohen menjëherë për të gjetur gruan dhe dy fëmijët e mitur të 33-vjeçarit Resmi M, nga fshati Vorrozen, komuna Luz i Vogël në Kavajë.
Pas hetimeve të para, policia ka mundur të lokalizojë vendndodhjen e gruas së 33-vjeçarit, Mimoza M, 33-vjeçe dhe dy fëmijët e saj A.M, 8-vjeç dhe B.Q. 14-vjeçe.
Burime nga grupi që po heton ngjarjen, thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA se 33-vjeçarja ka deklaruar se nuk kishte humbur por ishte larguar me dëshirën e saj nga banesa për të bashkëjetuar me 43-vjeçarin Vasip C. banues në qytetin e Kavajës.
Vetëm pak orë pasi sqaroi situatën policia ka regjistruar një tjetër kallëzim i cili kishte për protagonist burrin me të cilin do të jetonte Mimoza M, dhe fëmijët e saj.
Sipas policisë kësaj here ka qenë bashkëshortja e 43-vjeçarit e cila ka kërkuar ndihmën e policisë pasi dhunohej fizikisht dhe psikologjikisht prej tij.
Kjo çështje ka çoroditur jo pak policinë e cila është përpjekur të gjejë një zgjidhje duke respektuar ligjet penale.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se për bashkëshorten e 43-vjeçarit, Mereme C, është plotësuar një kërkesë padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes, për "dhunën në familje".
Sipas policisë dyshohet, se 43-vjeçari i bënte presion gruas së tij ta lejonte të bashkëjetonte me banoren e Luzit të Vogël dhe fëmijët e tij.
E ndërsa 33-vjeçarit Resmi M, iu tha se gruaja dhe fëmijët ishin shëndoshë e mirë dhe se do të jetonin te një burrë tjetër, gruas së këtij të fundit iu dha mbrojtja për të mos u rrahur më.
k.k/NOA