English

Enciklopedia, dështon takimi mes Ahmetit dhe Gruevskit, krizë mes partnerëve

Shkup, 28 shtator, NOA - Dy partnerët e koalicionit qw drejton Maqedoninw, Ali Ahmeti i BDI dhe Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE, nuk janë takuar gjatë fundjavës, edhe pas një takimi të paralajmëruar mes tyre.

Paralajmërimet për një takim të përbashkët për të sqaruar pozicionet e tyre lidhur me botimin e "Enciklopedisë Maqedonase", ishin bërë nga kreu i BDI-së, i cili ka kërkuar që kryeministri Nikolla Gruevski dhe qeveria të distancohen nga botimi i kësaj vepre kontroverse për shqiptarët.

Dy liderët e partive të koalicionit qeveritar në Maqedoni nëpërmjet mediave kanë drejtuar mesazhe dhe qëndrime lidhur me debatin e ndezur për enciklopedinë.

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka pranuar se shqiptarët janë fyer me enciklopedinë maqedonase, por ai ka kërkuar që të arrihet një zgjidhje përmes dialogut dhe mirëkuptimit.

"Ajo çfarë ndodhi me enciklopedinë është e qartë se ka fyer shqiptarët në Maqedoni. Në situatën, kur dikush fyhet është mirë që të dyja palët pavarësisht argumenteve, pavarësisht se kush ka të drejtë ose jo, duhet që përmes dialogut, mirëkuptimit dhe respektimit të ndërsjellë të arrijnë një zgjidhje të caktuar të problemit " ka deklaruar Nikolla Gruevski.

Ndwrkaq, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka vlerësuar se prononcimet e deritanishme të kryeministrit Gruevski për enciklopedinë janë të pamjaftueshme. Gjatë një interviste, Ahmeti tha se Gruevski duhet të dënojë këtë akt luftë nxitës dhe enciklopedia të tërhiqet nga qarkullimi.

Ali Ahmeti tha se pret që kryeministri ta ftojë për të diskutuar për enciklopedinë, që e cilësoi si një provokim të ulët nga komuniteti maqedonas, të cilit i takon edhe Gruevski. Më tej, Ahmeti shtoi se duhen marrë të gjitha masat dhe të reagohet në kohë, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet.

Acarimi i marrëdhënieve midis dy partive të koalicionit është ndjerë edhe në mbledhjen e javës së kaluar të qeverisë, ku ka patur reagime dhe mospajtime midis ministrave shqiptarë dhe atyre maqedonas.

NOA-INA

KOMENTE