English

Forcimi i euros bllokon tregun e pasurive të paluajtshme

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 28 shtator NOA - Luhatjet e ndjeshme të kursit të këmbimit që pasuan deklaratën e kryeministrit Sali Berisha për zëvendësimin e lekut me euron ka bllokuar në masë të madhe tregun e pasurive të paluajtshme.

Agjencitë imobiliare në Tiranë konfirmojnë faktin se ditët e fundit klientët kanë shfaqur pasiguri për të investuar, madje ka pasur edhe raste kur kontratat janë anuluar në minutën e fundit për shkak të forcimit të euros.

Përfaqësuesi i një prej agjencive të kryeqytetit, Albec Sila thotë se debati mbi kursin solli një efekt të menjëhershëm në punën tonë.

"Prej ditësh nuk na hyjnë qytetarët në zyrë për shkak të kësaj situate, madje ka edhe nga ata që pasi kanë paguar kaparin për të blerë një shtëpi apo për të marrë një banesë me qira e kanë anuluar atë, kjo për shkak të forcimit të euros "- thotë Sila.

Por biznesi e shikon zgjidhjen e kësaj situate tek politikat e qarta që duhet të bëjë qeveria për të zhvilluar prodhimin vendas.

Vetëm në këtë mënyrë, bizneset nuk do të orientohen drejt importit dhe nevoja për euro do të ulet.

"Situata është e njëjtë si në bujqësi, ndërtim apo në çdo sektor tjetër, në se do të kishim prodhim vendas, ne nuk do të blinin produkte jashtë vendit dhe në këtë mënyrë kostot do të ishin edhe më të lira"-thotë drejtori i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi.

Sipas tij mbetet për tu vlerësuar iniciativa për të hapur fabrika çimentoje në vend pasi ato do të ndikojnë në një kosto edhe më të lirë të këtij produkti.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro mesditën e së hënës arriti në 135 lekë, çka tregon për një stabilizim të përkohshëm të tregut valutorë.

Por a do të vijojë kjo pasiguri në këtë treg në të ardhmen?

Deputeti demokrat Sybi Hida thotë se faktorët që garantojnë stabilitetin e kursit janë të shëndoshë, ndaj dhe luhatjet nuk do të vijojë.

Sipas tij debati i javës së kaluar ishte vetëm një spekulim.

Ekonomia shqiptare është pjesërisht e eurizuar, shit/blerja e pasurive të patundshme, shërbimet hoteliere, shitjet e makinave apo kreditë si dhe një sërë produktesh të tjera ofrohen në euro.

Ndaj stabiliteti i kursit të këmbimit mbetet parësorë për ekonominë tonë.

r.l/NOA

KOMENTE