English

Korrupsioni në shëndetësi, arrestohen 3 mjekë e 2 infermierë të Maternitetit "Koço Glozheni" në Tiranë

Tiranë, 28 Shtator NOA UPDATE-Tre mjekë e dy infermierë janë arrestuar para disa minutash nga policia e Tiranës, informoi sot drejtoria e policisë së Tiranës përmes komunikatës së saj për shtyp.

Sipas komunikatës, bëhet fjalë për ekzekutimin e urdhrave të arrestit që sot në mëngjes ka lëshuar gjykata e Rrethit Tiranë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe marrjes së mitës, për pesë mjekë në spitalin Obstetrik-Gjinekologjik "Koço Glozheni" të Tiranës.

Shtetasit e arrestuar janë shefi i Klinikës Obstetrike tek "Koço Glozheni", Petrit Ferik Rexhepi, 56 vjeç, lindur e banues në Tiranë, Dritan Lutfi Xhangolli, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i pa dënuar, me profesion dhe i punësuar Mjek Reaminator,

Hyre Brahim Reçi, 54 vjeç, lindur në Pukë e banuese në Tiranë, me profesion dhe e punësuar Infermiere - Mami,

Nilka Hasan Perhati, 57 vjeç, lindur e banuese në Tiranë, me profesion dhe e punësuar Infermiere - Mami, Lefter Pando Mano, 53 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me profesion Anestezist, të punësuar të gjithë në spitalin Obstetrik-Gjinekologjik "Koço Glozheni" të Tiranës.

Në komunikatë thuhet se hetimi për personat e dyshuar më parë u bë i mundur falë bashkëpunimit të specialistëve të seksionit Kundër Korrupsionit pranë Policisë së Tiranës dhe Njësisë Task Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Personat e ndaluar dyshohet se për këtë periudhë 8 mujore hetimi, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash, kundrejt ofrimit të shërbimit mjekësor në (lindje normale dhe lindje me operacion), për disa shtetase.

Procedimi penal në ngarkim të tyre, filloi mbi bazën e disa kallëzimeve të kryera nga disa paciente, të cilat kanë deklaruar se stafi mjekësor i lartë përmendur, kanë përfituar prej tyre, një shumë të konsiderueshme parash, për ofrimin e shërbimeve mjekësore të mësipërme.

Vendimet e Gjykatës, për ndalimin e tyre u ekzekutuan në banesë dhe në ambientet ku ata ishin të punësuar.

KOMENTE