Korçë, 28 shtator NOA - Nisen në pyll për të gjuajtur shpendë të egra, por qëllojnë njëri-tjetrin.
Tre kushërinj nga qyteti i Korçës janë nisur dje në fshatin Gjergjevicë të komunës Lekas në Korçë për të gjuajtur me armë gjahu shpendë të egra, por gjuetia për pak ka rrezikuar të kthehet në tragjedi pasi ata nga pakujdesia kanë qëlluar njëri-tjetrin dhe për pasojë një prej kushërinjve ka mbetur i plagosur rëndë.
Burime nga policia thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA se për këtë ngjarje u arrestua 46-vjeçari Vladimir Agollari.
Sipas policisë, tre kushërinjtë, në kohën që kanë qenë duke gjuajtur janë ndarë nga njëri-tjetri në distancën rreth 30 metra, por për shkak të bimësisë dhe pemëve të dendura nuk kanë pasur pamje vizive.
Në këtë kohë, Vladimir Agollari ka qëlluar në drejtim të disa shpendëve por si pasojë ka mbetur i plagosur kushëriri i tij i cili ka marrë dëmtime të shumta nga saçmat, në pjesën e gjoksit.
Pasi ka qëlluar me çifte, Agollari ka shkuar me shpejtësi për të marrë shpendin që mund të kishte vrarë, por në vend që të shihte gjahun, ai ka parë kushëririn e tij të përpëlitej i gjakosur.
Aksidentalisht, gjahu i Agollarit ishte bërë kushëriri i tij i cili u transportua menjëherë në Spitalin e Korçës dhe më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore pasi dëmtimet janë relativisht të rënda.
Ndaj 46-vjeçarit Vladimir Agollari u mor masa e arrestit për veprën penale të "plagosjes së rëndë nga pakujdesia".
k.k/NOA