Nju Jork, 28 shtator, NOA - Vizita e presidentit dhe kryediplomatit kosovar në Nju Jork në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka rezultuar e suksesshme dhe synon të shoqërohet me njohje të reja të afërta të Kosovës.
Një fakt të tillë e ka pohuar pas kthimit nga Nju Jorku, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili është shprehur shumë optimist për rezultatet e takimeve me krerë të lartë shtetesh që zhvilloi në SHBA, duke theksuar se ato mund të rezultojnë së shpejti me njohje të reja të Kosovës nga disa shtete.
Presidenti Sejdiu theksoi se në vetvete, qëllimi themelor i vizitës së tij në SHBA ka qenë ai i takimit të udhëheqësve dhe përfaqësuesve nga shumë vende të botës dhe posaçërisht të atyre që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ndër takimet e rëndësishme që zhvilloi në SHBA ai përmendi atë me presidentin Barak Obama, për të cilin tha se i ofroi mbështetjen e mëtejshme të vendit të tij.
Më pas, Sejdiu përmendi edhe takime të tjera që zhvilloi me zyrtarë të lartë nga vende të tjera si kryeministrin e Mbretërisë Spanjolle, Zapatero; Emirin e Katarit, presidentin e Malavit, kryeministri i Tuvalës, vende këto nga të cilat pretendon njohje të Kosovës, si edhe presidentin e Letonisë, me presidentin e Kroacisë, kryeministrin e Turqisë, presidentin e Nepalit, Grënadës, Xhamajkës, presidentin e Sudanit, kryeministrin e Bangladeshit, ministrin e Jashtëm të Pakistanit, presidentin e Maqedonisë, kryeministrin e Malit të Zi, kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë etj.
n.e/NOA