Tiranë, 29 shtator NOA - Kryeministri, Sali Berisha, gjatë një vizite sot në mesditë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, uroi Arqipeshkvin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditën, me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij.
Kryeministri Berisha vlerësoi lart kontributin e Imzot Rrok Mirditës në ringritjen e besimit Katolik në Shqipëri dhe në shërbesat e mëdha që i ka bërë kombit shqiptar dhe Zotit, në të gjithë jetën e tij.
Gjithashtu, Kryeministri shprehu kënaqësinë që këtë 70 vjetor, Imzot Rrok Mirdita e kremton me këto rezultate të mëdha, por edhe me një marrëveshje të shkëlqyer të bashkëpunimit me qeverinë, si dhe me një ligj të ri të miratuar në Parlament, për një qëndrim të përshtatshëm të shtetit dhe të qeverisë ndaj besimeve fetare.
 "Për mua ishte një kënaqësi e veçantë të uroja Imzot Rrok Mirditën për 70 vjetorin e lindjes së tij, me urimet më të përzemërta, me mirënjohjen më të thellë për shërbesat e mëdha që i ka bërë kombit dhe Zotit, në të gjithë jetën e tij" tha Berisha.
Imzot Rrok Mirdita, në rastin e parë të krijimit të mundësisë për t'i shërbyer kombit shqiptar, brenda vendit, u emërua nga Papa Gjon Pali II dhe la Dioqezën Katolike Shqiptare të Nju Jorkut dhe erdhi për të ringritur besimin katolik në Shqipëri.
k.k/NOA