Prishtinë, 29 shtator NOA-Misioni i Aleancës Veriatlantike, NATO ka konfirmuar se Kosova mbetet një mision i rëndësishëm për të.
Drejtues të autoritetit më të lartë ushtarak të NATO-s gjatë një vizite në Prishtinë, kanë theksuar se zvogëlimi i pritshëm i trupave të KFOR-it, nuk do ta vë në rrezik sigurinë në Kosovë.
Aleanca Veriatlantike po ashtu ka theksuar se të gjitha vendet anëtare, përfshirë edhe katër që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, po ndihmojnë në ngritjen e forcës së re kosovare të sigurisë.
Në një konferencë me gazetarë në Prishtinë, kreu i autoritetit më të lartë ushtarak të NATO-s, admirali Giampaolo di Paola, tha se 28 anëtarët e Aleancës janë njëzëri të përkushtuara për të përmbushur misionin e tyre për themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
"NATO është angazhuar për themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të gjitha shtetet anëtare janë pajtuar për këtë rol shtesë të NATO-s.
Çështja e statusit është dicka tjetër, nuk ka të bëjë asgjë me ndihmën për të themeluar Forcën e Sigurisë së Kosovës", u shpreh Di Paola.
Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë e re e armatosur lehtë, që po ngrihet për të ndihmuar në aspektet e sigurisë që kanë të bëjnë me mbrojtje civile.
Krahas themelimit të saj, NATO ka bërë të ditur synimin për të zvogëluar praninë e saj në Kosovë.
Nga rreth 14 mijë trupa sa ka tani, Aleanca planifikon që brenda dy vitesh, ta ulë numrin e paqëruajtësve të saj në rreth 2,500.
Â