English

Djegia e flamurit maqedonas në Prishtinë, Shkupi zyrtar kërkon uljen e tensioneve

Shkup, 29 shtator NOA-Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë (MPJ) ka reaguar pas lajmit për djegien e flamurit të këtij shteti, disa ditë më parë, në një ndeshje futbolli në Prishtinë, nga ana e tifozëve.

Duke iu referuar tv "Alsat" në Maqedoni, gazeta "Expres" citon se Shkupi zyrtar ka bërë thirrje se në këto momente të ndjeshme çdo hap që ndërmerret duhet të jetë në drejtim të uljes së tensioneve ndëretnike, e jo të nxitjes së mëtejshme të tyre.

Ndërsa Zyra për Komunikim e Maqedonisë në Prishtinë ka kërkuar nga zyrtarët e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore ndaj autorëve të veprës penale.

"Besimi i ndërsjellët dhe respekti ndërtohen në afat të gjatë dhe çdo palë duhet të kontribuojë në këtë drejtim.

Nga Kosova, si shtet më i ri në rajon pritet që në situata të tilla të demonstrojë kapacitet dhe aftësi, që të veprojë në mënyrë adekuate në drejtim të ndërtimit të marrëdhënieve ndër fqinjësore dhe zhvillimit të stabilitetit rajonal", thuhet në komunikatën e MPJ-së së Maqedonisë.

Edhe politika maqedonase ka dënuar këtë akt dhe kërkon nga zyrtarët e Kosovës që të distancohen nga ky akt.

"Vlerësojmë se bëhet fjalë për rast të izoluar i cili nuk guxon të ndikojë në marrëdhëniet pozitive mes dy vendeve dhe nuk guxon të keqpërdoret në kontest ndëretnik të brendshëm", thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

Për momentin nuk ka reagime nga zyrtarët e Kosovës lidhur me incidentin e djegies së flamurit të Maqedonisë.

Â

KOMENTE