Tiranë, 29 Shtator NOA Update - Banka Procredit, ndër të parat në Shqipëri, në kuadrin e dhjetëvjetorit të saj, njëherësh ka përuruar ambientet e reja qendrore në zonën e Laprakës, në Tiranë dhe këtë rast, kryeministri Shqiptar Sali Berisha e ka shfrytëzuar për të deklaruar se "sistemi bankar në Shqipëri, është një histori suksesi, që bashkë me sektorin ekonomik në vend, janë më solide se kurrë drejt ritmeve të rritjes progresive".
Në ceremoninë e sotme, ishin të pranishëm veç kryeministrit, Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernard Borhard, drejtori i Bordit Supervizues për Shqipërinë dhe Frankfurtin, Zeitinger, drejtues të bankave të tjera në Shqipëri dhe të tjerë.
Në ceremoni, nëndrejtorja e Procredit Bank Albania (PCB), evidentoi faktin se ky institucion financiar ka investuar për të pasur një godinë bashkëkohore të vetën, krahas zgjerimit të degëve në Tiranë dhe pjesën tjetër të Shqipërisë.
Ndërsa z. Zeitinger, drejtor i Bordit Supervizues për Shqipërinë dhe Frankfurtin, i vuri theksin faktit se investimet në Shqipëri kanë si pikësynim qëndrimin e përhershëm.
"Ne kemi investuar për këtë godinë e cila tregon se investimet tona në Shqipëri kanë vetëm një qëllim, të jemi këtu përgjithmonë", - deklaroi z. Zeitinger.
I pyetur nga agjencia e lajmeve NOA se cilat janë projektet e mëtejshme të PCB në Shqipëri, z. Zeitinger deklaroi se ndër planet më të afërta, është zgjerimi i degëve.
"Ne kemi aktualisht 40 degë në të gjithë Shqipërinë dhe gjatë muajve në vazhdim, synojmë të shtojmë edhe 15 degë të tjera", deklaroi dr. Zeitinger.
Ai ka dhënë vlerësime edhe mbi monedhën shqiptare, duke deklaruar se leku është i fortë, i qëndrueshëm dhe si i tillë, përdoret më tepër nga kjo bankë në marrëdhëniet me klientët, si në depozita, kredi, etj.
"Ne kemi konstatuar gjatë këtyre viteve, se leku është monedha më e qëndrueshme në të gjitha vendet e Evropës Lindore ku ne gjendemi", - theksoi z. Zeitinger.
Ndërsa Guvernatori Fullani, fillimisht bëri një kujtesë mbi ecurinë e PCB. Ai kujtoi faktin se në vitin 1995, erdhi në Shqipëri si investim gjerman, fondacioni financiar FEFAD i cili më vonë u shndërrua në bankë, për t'u bërë më 1999, pjesë e grupit ProCredit Bank i cili përfshin rrjetin e tij në disa vende të botës.
Fullani ka folur dhe për zhvillimet financiare në përgjithësi, duke dashur të japë lajmin e madh siç tha ai, se aktualisht, është kapërcyer totalisht kriza e besimit të shqiptarëve te bankat.
Guvernatori vuri në dukje se depozitat i janë rikthyer rrjedhës normale të një viti më parë, duke siguruar se ky proces do të vazhdojnë në ecuri normale.
Në ceremoni, ka folur edhe ambasadori Bernd Borchard, i cili ka vlerësuar investimin gjerman. Ai sakaq foli dhe mbi zgjedhjen për nj mandat të dytë të zonjës Anxhela Merkel, si kancelare e Gjermanisë.
z. Borhard lajmëroi nga ceremonia për përurimin e godinës së re të PCB, se qeveria e vendit të tij, ndër vendimet e para ka shpallur atë të dyfishimit të ndihmave për Shqipërinë, duke e çuar në 86 milionë euro paketën për Shqipërinë.
Menjëherë më pas, ka folur edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. Fillimisht ai ka folur me tone optimiste për tregun bankar shqiptar, duke u ndalur në lëvizjet e ProCredit Bank.
Ai vlerësoi faktin se për herë të parë një bankë private bën një investim të vetin duke ndërtuar posaçërisht një kompleks për zyrat e saj qendrore. Në të vërtetë, ky është rasti i parë që një bankë në Shqipëri ndërton për nevojat e saj një objekt shumëkatësh, pasi në përgjithësi operohet me qiramarrjen, përjashtuar bankave shtetërore që pas privatizimit trashëguan asetet.
Berisha përgëzoi Procredit Bank për investimet e realizuar në drejtim të krijimit të burimeve njerëzore dhe shprehu edhe një herë vendosmërinë e qeverisë së tij për të garantuar veprimtarinë e sistemit bankar.
"Ky është një investim i rëndësishëm jo vetëm për sistemin bankar shqiptar, por dhe për vendin në tërësi, pasi është investimi më i madh i këtyre 20 viteve të fundit që sistemi bankar bën për veten e tij", - deklaroi Kryeministri.
:Është e rëndësishme, - vijoi Berisha, - që kjo ndërtesë e bukur, funksionale, të inaugurohet në 10- vjetorin e suksesit të ProCredit Bank, por simbolikë të madhe ka edhe fakti që inaugurohet pas fitores së dytë të Kancelares Angela Merkel, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Gjermani. Kjo është fitore shpresëdhënëse jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për mbarë Evropën, pasi kombi gjerman votoi për reformat jetike dhe përcaktuese për mbarë ekonominë evropiane".
Berisha vuri në dukje "ndihmën e çmuar të Kancelares Merkel, Qeverisë gjermane dhe kombit gjerman gjatë këtyre viteve i kanë dhënë Shqipërisë". Sipas tij, "institucionet financiare gjermane kanë qenë institucionet kryesore financiare të kreditimit të Shqipërisë dhe ndihma direkte gjermane është shtrirë në qindra projekte në të katër anët e vendit, dhe nevojat bazë të qytetarëve shqiptarë. Tipari më dallues i këtyre projekteve ka qenë efiçenca e plotë dhe suksesi i realizimit të tyre".
Kryeministri tha se kriza ekonomike botërore faktoi falsitetin e klasifikimeve të kompanive të rating-ut duke shtuar se "shumë nga ato institucione financiare që ishin mbajtur me A+ dhe me pesë yje nuk i rezistuan kohës, ndërsa juve që ishit klasifikuar tek B-ja apo C-ja provuat se ishit A dhe me shumë yje. E vërteta është e vërtetë. E madhe apo e vogël, ajo është e pakthyeshme".
"Më rikujtohen dhe shumë debate që kisha zhvilluar me një kompani rating-u, - vijoi Berisha, - të cilën do ta takoj prapë dhe do t'i them ja ku janë të gjitha me A".
Në përfundim kryeministri tha se Qeveria është e vendosur të miratojë çdo dispozitë dhe çdo vendim për të garantuar veprimtarinë bankare.
"Sistemi bankar është një sukses i vërtetë në Shqipëri. Unë shpresoj dhe besoj se shumë shpejt këtë sukses do ta prekin dhe ndjejnë shqiptarët në të katër anët e vendit. Edhe ata shqiptarë që jetojnë në zonat më të thella dhe në zonat rurale do të kenë mundësi dhe akses të gjerë në sistemin e kreditimit", - tha Berisha duke përfunduar me bindjen se "sistemi bankar financiar dhe ekonomia shqiptare sot janë solide".
/e.k/k.k/NOA/