English

Nën hetim dy pronarë lokalesh, pengonin lëvizjen e makinave duke zënë rrugën me karrige

Tiranë, 29 shtator NOA - Dy pronarë lokalesh do të hetohen nga policia pasi kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit në rrugën pranë lokaleve të tyre.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se F. S, 39-vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë si dhe S.C, 47-vjeç lindur në Shkodër dhe banuese në Tiranë akuzohen për veprën penale të "pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit".

Sipas policisë, dje rreth orës 12.00, në rrugën "Ismail Qemali", përballë piceri "Era", pronarët e lokaleve të mësipërme kanë ngushtuar rrugën për interesa vetjake, duke vendosur karrige, tavolina si dhe disa vazo në brendësi të rrugës duke vështirësuar qarkullimin normal të automjeteve.

Drejtuesit e mjeteve kanë kërkuar ndihmën e policisë për të zhbllokuar plotësisht rrugën duke detyruar oficerët e policisë së komisariatit nr.2, të mbërrijnë menjëherë.

Në vendin e ngjarjes u bë këqyrja, fiksimi dhe fotografimi i tyre. k.k/NOA

KOMENTE