English

Rasmussen në Amerikë, fushatë për shtimin e forcave në Afganistan

Uashington, 29 shtator, NOA - Lufta e aleatëve në Afganistan kërkon një shtim të forcave për shkak të konflikteve dhe sulmeve të shpeshtuara kohët e fundit.

Një fakt të tillë e ka pohuar vetë sekretari i ri i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen, gjatë një vizite që ka nisur në Uashington.

Ajo i shërben bisedimeve mes NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të intensifikuar ndihmën dhe sulmet ndaj terroristëve në Afganistan, në një kohë që vihet re shpeshtim i akteve terroriste ndaj trupave paqeruajtëse.

"Amerikanët nuk duhet ta vënë në dyshim përkushtimin e anëtarëve të tjerë të NATO-s në luftën në Afganistan", mësohet të jetë shprehur Rasmussen në fjalimin e parë si kreu i Aleancës në Uashington.

Sipas tij, fushata në Afganistan bëhej nga nevoja dhe se NATO, nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, por ta vazhdojë atë që ka nisur atje.

"Duhet të bëjmë durim, do të na nevojiten burime të tjera dhe fatkeqësisht, do të humbasim ushtarë të tjerë në sulmet terroriste të talibanëve", tha Rasmussen.

Por ndërkaq, shtoi se ishte "plotësisht dakord me Presidentin Obama kur ai thotë se kjo luftë nuk bëhet nga dëshira, por nga nevoja".

Vizita e kreut të NATO-s në Amerikë bëhet në një kohë kur amerikanët po debatojnë me zjarr për të dërguar dhjetëra mijëra trupa të reja shtesë në Afganistan, por nuk dihet nëse Rasmussen mendon që dërgimi i trupave shtesë ishte përgjigja e duhur për situatën aktuale në Afganistan.

n.e/NOA

KOMENTE