Gjirokastër, 29 Shtator NOA - Të parët që prekën skenën rrethore të festivalit në natën e pestë dhe të parafundit të tij, ishin një grup artistësh popullor nga krahinat shqiptare në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM).
Të organizuar në Lidhjen e Shoqërive Kulturore Artistike të Shqiptarëve në FYROM, është prezantuar grupi i dytë që sipas programit zyrtar është grup konkurrues.
Në përbërje të tij janë ansambli artistik "Jehona e Malësisë së Sharrit" nga Tetova.
Programi i artistëve popullor nga trevat shqiptare në Maqedoni nisi me një rit të lashtë sikurse është riti "Drithi i dasmës".
Nga grupi i burrave të këtij ansambli, u këndua më pas kënga kushtuar "Memet Voca", ndërkohë që motrat Saiti u duartrokitën nga publiku për interpretimin e dy këngëve me motive lirike tradicionale titulluar "Kur dola te dera" dhe "Gugashi".
Artistët popullorë kishin në programin e tyre edhe tre valle, "Valle brez për brezi" dhe valle "Shqipja" të dyja të kërcyera nga grupi i burrave.
Ndërkohë koncerti i ansamblit artistik "Jehona e Malësisë së Sharrit" nga Tetova u mbyll në mënyrë triumfale nga një vallë mikse e titulluar "Kallanxhojë i fundit".
Ansambli artistik "Jehona e Malësisë së Sharrit" nga Maqedonia është një nga formacionet më të njohura të ruajtjes dhe zhvillimit të folklorit në krahinat shqiptare të shtrira në pjesën veriperëndimore të vendit fqinjë.
Dy vjet më parë ky ansambël ka qenë i ftuar dhe ka dhënë shfaqe në festivalin folklorik "Përmeti Multikultutor".
i.p./e.r/NOA