Tiranë, 30 shtator NOA - Kryeministri, Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë ka propozuar disa kushtëzime për transportin e zyrtarëve të vendit.
Veç favoreve të plota për Presidentin, Kryetarin i Parlamentit dhe Kryeministrin, Berisha ka ndarë në tre kategori zyrtarët që përfitojnë një shumë për të siguruar transportin.
Sipas Berishës, projektligji do tu japë fund abuzimeve në këtë fushë, duke theksuar se vendosja e kësaj praktikë të re kursen së paku 30 milion dollarë në vit.
"Abuziviteti me këto praktika ka bërë që në institucione të ndryshme të shpenzohen nga 12 mijë dollarë në vit në 67 mijë dollarë për shoferët.
Ne duhet të bëjmë transparencën. Shpatullat e taksapaguesve shqiptarë nuk e përballojnë dot diçka të tillë. Ndaj krijohet një kod i ri etik thellësisht i qytetëruar dhe jashtëzakonisht ndihmues në etikën dhe moralin e administratës shtetërore, shkëputet nga një praktikë tërësisht jashtë kohe. E kam theksuar edhe një herë se mesatarja për shoferin në administratën shtetërore është 19 mijë dollarë.
Nuk po listoj këtu mënyrat e abuzimit, sepse ky ligj i jep përgjigje përfundimtare dhe vendos një standard të qytetëruar europian, për të cilin vendi ka nevojë jetike. Përveçse kursehen së paku mbi 30 milion dollarë në vit, vendoset një normë me vlerë qindra milion dollarë" tha Berisha.
"Ky ligj lejon që të kenë në dispozicion automjet me targë zyrtare vetëm drejtuesit e institucioneve kushtetuese, ministrat, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Drejtori i Përgjithshëm të Policisë, Drejtori i Shërbimit Informativ.
Ligji nuk u jep të drejtën e targës zyrtare asnjë zyrtari tjetër për transportin e tij. Edhe në këtë grup ka dy propozime.
I pari, që të drejtën e përdorimit të automjeteve jashtë zyre ia jep Presidentit, Kryetarit të Parlamentit dhe Kryeministrit dhe jo zyrtarëve të tjerë.
Por unë kam një propozim të dytë, që t'u lejohet targa zyrtare dhe t'u njihet e drejta e përdorimit jo zyrtar të automjetit, bëhet fjalë për fundjavat, me kushtin që duke filluar nga Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri duhet të depozitojnë në llogarinë e institucionit 50 mijë lekë në vit për karburantin. Kjo në rast se duan ta përdorin automjetin në kohën jashtëzyrtare.
Por nëse ka prej tyre të apasionuar në ngarjen e makinës dhe nuk kanë nevojë ta përdorin atë në fundjavë, nuk e depozitojnë këtë shumë.
Mendoj se kjo është një përgjigje më e drejtë, sesa lënia e së drejtës së përdorimit të automjetit vetëm tre funksionarëve të shtetit, por kjo e drejtë t'u njihet edhe funksionarëve që u njihet me ligj mbajtja e targës zyrtare, me kushtin që të depozitojnë në fillim të vitit në llogarinë e institucionit të tyre shumën e mësipërme" shtoi më tej Berisha.
Sipas tij, të drejtën e targës zyrtare do ta ketë edhe kryetari i opozitës, i cili në shumë vende në trajtimin zyrtar barazohet me një ministër, si dhe kryetari i bashkisë së qytetit, pasi bashkia e kryeqytetit në Kushtetutë është e veçantë.
Ndërsa lidhur më zyrtarët e tjerë, në kategorinë e parë, me targë jo zyrtare janë vlerësuar deputetet e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarët e bashkive të mëdha të qarqeve.
Këtyre zyrtarëve u jepet për transportin një bonus 45 mijë lekë, ku përfshihet amortizimi, karburanti. Natyrisht, mendoj se parlamentit duhet t'i lihet fleksibilitet që të mund të respektojë distancën.
"Parlamenti ka një Sekretariat për buxhetin. Ndaj mendoj se mesatarja të jetë kjo shumë që do t'i jepet parlamentit dhe më pas t'i lihet në diskrecion Sekretariatit ta përcaktojë, pasi nuk mund të jetë e njëjtë Tirana me Gjirokastrën, apo Tropojën e Kukësin. Sidoqoftë mendoj se kjo shumë është një përllogaritje e ndershme dhe e saktë. Në të gjitha vendet e botës demokratike, Kushtetutat ose ligjet detyrojnë parlamentin dhe qeveritë të marrin përsipër shpenzimet publike të transportit të deputetëve" deklaroi kryeministri..
Për kategorinë e dytë të zyrtarëve bonusi është 35 mijë lekë dhe këtu përfshihen zëvendësministrat, këshilltarët e Presidentit, Parlamentit, Kryeministrit, drejtuesve të enteve rregullatore, komandantët e Forcave të Armatosura, zëvendësdrejtorët e Policisë dhe Shërbimit Informativ, kryetari i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Akademisë së Shkencave, rektorët e universiteteve, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, drejtuesit e Prokurorisë dhe të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të shkallës së parë dhe të apelit.
Bonusi për kategorinë e tretë është 30 mijë lekë dhe përfshin kryetaret e bashkive të tjera, drejtuesit e agjencive si ajo e pronave etj..
Zyrtarët e tjerë trajtohen me 200 mijë lekë, të cilët kanë pasur veturë më tepër për traditë.
k.k/NOA
Â