English

Braçe: Rezultati i 28 qershorit s'është në rregull, Berisha cenoi demokracinë

Tiranë, 30 shtator NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka akuzuar sot kryeministrin Berisha se ka futur në krizë demokracinë e vendit.

"Sali Berisha, Kryeministri i emëruar nga Ilir Meta dhe i pa votuar nga shqiptarët, po refuzon të përballet me krizën politike në vend!

Të gjithë shqiptarët e dinë prej tre muajsh, se në qendër të saj janë zgjedhjet e 28 qershorit.

Zgjedhjet janë thelbi i një regjimi demokratik, pra dhe atij shqiptar.

Vota e lirë, e fshehtë, e barabartë dhe vetiake si parim kushtetues shqiptar dhe standard dallues ndërkombëtar, bën të funksionojë një regjim demokratik, pra dhe në Shqipëri.

Cënimi deri në rrënim i këtij parimi ka futur në krizë demokracinë në këtë vend!

Kompromisi duke pranuar formalisht rënien e demokracisë na kthen 20 vite pas. Kjo nuk është zgjidhje!

Sali Berisha manipuloi zgjedhjet e 28 Qershorit dhe për këtë, ai është sot shkaktari i kësaj krize!" tha Braçe.

Sipas Braçes, PS ka qenë e qartë dhe korrekte, ka të gjithë vullnetin për të zgjidhur këtë krizë.

"Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk është në rregull!

Por ne nuk kemi shprehur asnjëherë, nuk kemi kërkuar asnjë ditë, të ndryshojmë këtë rezultat duke ndarë mandate të tjera, të reja në tavolinë.

Ne e dimë fare mirë që procesi zgjedhor ka përfunduar, por për të gjithë duhet të jetë e qartë, ne nuk po kërkojmë t'i shtojmë një dimension të ri procesit zgjedhor!

Faktet e Raportit të ODIHR janë indicie të forta që forcojnë kërkesën për hetim! Hetim që do të prodhojë një të vërtetë reale, të thelluar e faktuar mbi zgjedhjet!

Çereku i të vërtetës mbi votat, të numëruara keq dhe shumë keq-konstatuar në raportin e ODIHR- duke përdoruar mundësitë e pakta të kufizuara deri këtu nga Berisha, ka nisur të dalë në dritë, duke filluar nga kryeqendra e manipulimit të votave, Shkodra, territori elektoral i dhunuar nga numri 2 i shtetit formal, Jozefina Topalli!

E vërteta duhet të dalë në dritë plotësisht edhe në Tiranë, edhe në Berat, kudo ku vota është vjedhur, përmes hetimit dhe një raporti hetimi!" shtoi më tej Braçe.

k.k/NOA

Â

KOMENTE