Tiranë, 30 Shtator NOA - Për futjen në burg të Gëzim Gjonit, jo vetëm që nuk është zhvilluar asnjë operacion policor, por në të vërtetë, i dënuari kishte shtatë ditë që shkonte në polici për të sqaruar rrethanat e tij.
Ilir Gjoni, vëllai i Gëzim Gjonit i cili mesditën e sotme u dërgua në mjediset e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, flet ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve NOA, mbi këtë argument.
"Gëzimi Gjoni është dënuar me 5 vjet dhe ishte në gjendje të lirë. Sipas llogarive të prokurorisë i kishin mbetur edhe 14 ditë burg për të kryer. Ka shkuar në polici ditë për ditë gjatë javës që shkoi, e po ashtu, edhe dje për të bërë të 14 ditët", - tregon Ilir Gjoni duke folur me agjencinë e lajmeve NOA.
Iliri evidenton faktin e cituar nga policia se "nuk kishte shkuar vendimi" dhe vijon: "Dje i thanë që të shkonte sot (e Mërkurë) dhe ai shkoi në orën 13.00 dhe kjo është e vërteta".
Ilir Gjoni pohon se "lajmi për kapje dhe skuadër speciale që e ka prangosur janë budallallëqe që duan të tregojnë "suksesin" e policisë".
Ndërkohë, vëllai i Gëzim Gjonit, detajon edhe atë që Policia e Tiranës e cilëson si një operacion të suksesshëm: "Gëzimi erdhi dje sërish në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke kërkuar që të vuajë kohën e dënimit prej 14 ditësh. I thanë se nuk kishte vend dhe se duhet të vinte nesër (e Mërkurë) në orën 13.00. Ashtu bëri, u nis në drekë për të shkuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, me makinën e tij dhe u paraqit brenda ambienteve".
Po ashtu, Iliri tregon se i ka dhënë pasaportën biometrike dhe kartën e identitetit policisë e cila pasi i fotokopjoi, ia ktheu mbrapsht.
Në përfundim të deklarimeve të tij për atë që u cilësua arrestimi i vëllait, Ilir shprehet i indinjuar: "Ne duam të punojmë, jemi të angazhuar me punë, detyrimet e shtetit duhet të plotësohen dhe ne të vazhdojmë punën", duke iu referuar biznesit të inerteve.
Komunikata e policisë
Më poshtë mund të lexoni të plotë, komunikatën e Policisë së Tiranës:
Tema:Â Ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në ngarkim të shtetasit Gëzim Gjoni, i akuzuar si një nga anëtarët e organizatës Hakmarrje për Drejtësi
Njoftim për shtyp Sektori i Operacioneve Speciale në Drejtorisë e Policisë Qarkut Tiranë ditën e sotme ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, të datës 01 Korrik 2008, në ngarkim të shtetasit Gëzim Sali Gjoni, 44 vjec, lindur e banues në Tiranë. Ky shtetas akuzohet, si një nga anëtarët e Organizatës Kriminale ?Hakmarrja për Drejtësi dhe konkretisht i akuzuar për veprat penale të Vjedhjes me pasojë vdekje dhe të Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit në rrethana lehtësuese? në bashkëpunim, në formën e organizatës kriminale, vepra penale të parashikuara në nenet 139, 109/a, 28 dhe 334 të Kodit Penal. I kërkuari është deklaruar fajtor, me vendimin Nr.44 të datës 01 korrik 2008, duke u akuzuar për rrëmbim dhe mbajtje peng të personit në rrethana lehtësuese, në dëm të një të mituri. Po ashtu, ky shtetas akuzohet për vjedhje me armë e realizuar në bashkëpunim në formën e organizatës kriminale, në dëm të një shtetasi, të cilët i kanë vjedhur me dhunë shumën e parave prej 12 milionë lekëve. Nga specialistë të sektorit të Operacioneve Speciale u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet Rënda Tiranë. /e.r.k.k/NOA/