Tiranë, 30 shtator NOA-Rrjeti i studentëve shqiptarë i kërkon Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Vlorës të zgjidhin konfliktin me studentët e porsa diplomuar të fakultetit të Drejtësisë në Vlorë të cilët gjenden në grevë urie që prej ditës së djeshme.
"Jemi të bindur se evitimi i "ping-pongjeve" të kompetencave dhe bashkimi i të gjitha palëve të interesuara në një takim, do të ishte tepër frytdhënës për zgjidhjen e situatës dhe mbështetjen e këtyre të rinjve të cilët sapo kanë përfunduar një proces të rëndësishëm të karrierës akademike, për të filluar një karrierë profesionale gjatë së cilës do të japin kontributin e tyre për zhvillimin e vendit me energji të reja, me optimizëm dhe me profesionalizëm", thuhet në deklaratën për shtyp të rrjetit.
Përfaqësuesit e rrjetit të studentëve shqiptarë në botë i kërkojnë ekspertëve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe përfaqësuesve kompetentë të Universitetit të Vlorës dhe të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë të kryejnë një takim me përfaqësuesit e studentëve të diplomuar dhe me ekspertë, në mënyrë që nëpërmjet komunikimit të duhur dhe me vullnetin e mirë për ta zgjidhur këtë çështje, të arrihet në një zgjidhje për këta të rinj që kërkojnë ndihmë për të pasur një akses dinjitoz dhe të vlefshëm në tregun e punës.
Â