Tiranë, 30 shtator, NOA - Grupi nismëtar i partisë më të re në vend, ajo për Drejtësi dhe Unitet (PDU), do të bëjë publike sot arsyet e themelimit të saj partie, objektivat, mjetet për realizimin e tyre etj.
Përmes një konference të paralajmëruar për shtyp, dy përfaqësuesit e këtij grupi nismëtar, dy deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, do të tregojnë se përse vendosën ta krijojnë partinë e cila në fakt është rivale e asaj që ekzistonte në lidhje me përfaqësimin politik të komunitetit çam, Partia për Drejtësi dhe Integrim (PDI), e kryesuar nga Tahir Muhedini.
Sipas tyre, Partia për Drejtësi dhe Unitet synon të veprojë si parti e pozicionuar në mbrojtje të interesave kombëtarë, të zgjidhjes së çështjes kombëtare, në veçanti të çështjes çame.
Në këtë mënyrë, PDI tashmë mbetet e papërfaqësuar në Kuvend, pasi deputeti i vetëm i saj, ikën nga kjo forcë politike duke krijuar një tjetër parti.
Lajmi i publikuar për herë të parë nga agjencia e Lajmeve NOA, parashikonte që Shpëtim Idrizi i Partisë Socialiste, me origjinë çame, ish-funksionar i lartë në qeveritë socialiste, të ishte edhe kryetari i kësaj partie, ndërsa Sekretar i Përgjithshëm dhe nënkryetar, deputeti i PDI, Dashamir Tahiri.
Burimet bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, se kjo forcë politike e re, do të mbështesë koalicionin qeveritar të kryesuar nga kryeministri Sali Berisha.
n.e/NOA