Durrës, 30 shtator, NOA - Forcat e policisë kanë shoqëruar për në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Durrësit, 21-vjeçarin Denis Plaku, lindur e banues ne Romanat, i dyshuar për veprën penale të përdhunimit.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, i ndaluari ishte shpallur në kërkim policor për ngjarjen e pak javëve më parë, kur ai së bashku me dy shokët e tij përdhunuan në grup 19-vjeçaren me inicialet A.SH, banuese në fshatin Hardhishtë të Durrësit.
E ndërsa dy të dyshuarit e tjerë, 20-vjeçari Ismail Troplini, banues në fshatin Romanat dhe Isa Kokomani, 21-vjeç, nga fshati i vajzës ranë në prangat e policisë që ditën kur u krye denoncimi nga ana e 19-vjeçares së përdhunuar, personi i tretë, Denis Plaku, ka mundur të kapet prej forcave policore vetëm ditën e djeshme.
Ky i fundit akuzohet edhe për thyerje të masës së sigurisë "Arrest Shtëpie", pasi ditën kur ka konsumuar veprën penale të lartpërmendur, ai ndodhej nën këtë masë, të dhënë nga gjykata e Durrësit për veprën penale të "Armëmbajtjes pa leje".
Materialet do t'i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprën penale të "Thyerjes së masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata", parashikuar nga neni 321 i Kodit Penal.