English

Lufta në Afganistan, Shtëpia e Bardhë sot cakton strategjinë e re

Uashington, 30 shtator, NOA - Një mbledhje e posaçme me objekt diskutimi strategjinë e ardhshme që duhet të ndjekin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajonin e Afganistanit, është parashikuar të zhvillohet sot në mjediset e Shtëpisë së Bardhë.

E organizuar nga presidenti amerikan Barak Obama, me këshilltarët e tij më të lartë politikë e ushtarakë, ajo do të ketë brenda saj orë të tëra debati dhe propozimesh për mënyrën sesi duhet të jenë metodat e ardhshme të përdorura nga prania ndërkombëtare në Afganistan.

Paraprakisht bëhet e ditur se në këtë mbledhje strategjike do të marrin pjesë shefi i komandës qendrore David Petraeus, nënpresidenti, sekretari i Mbrojtjes, sekretarja e Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Obama për Afganistanin. Ndërsa komandanti i luftës, gjeneral Stanley Mëkristal, që është udhëheqësi më i lartë ushtarak amerikan në Afganistan, bëhet e ditur se do të marrë pjesë në mbledhje nëpërmjet lidhjes me video. Administrata Obama ka rishqyrtuar prej javësh strategjinë e luftës në Afganistan në përpjekje për të gjetur një mënyrë të re për zgjidhjen e konfliktit afro 8 vjeçar. Ndërkaq, ditën e djeshme shefi i Aleancës së Atlantikut Verior, Anders Fogh Rasmusen, diskutoi me presidentin Obama strategjinë për të ardhmen e Afganistanit.

Ai ishte dakord për shtimin e trupave dhe fuqizimin e pranisë ndërkombëtare të aleatëve në Afganistan, në një kohë kur ky vend po tregon shtim të terrorizmit kohët e fundit.

n.e/NOA

KOMENTE