Tiranë, 30 shtator NOA - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha priti sot në një takim Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Evropian, Luigi Soreca, të shoqëruar nga kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan.
Në këtë takim Ministri Basha informoi, Sorecan për ecurinë e përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
Duke u ndalur tek planet e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe menaxhimin e integruar të kufirit, Ministri Basha bëri të ditur në këtë takim hapat e ndjekur për instalimin e plotë të sistemit të informacionit për kontrollin kufitar TIMS, për analizën e informacionit kriminal MEMEX, si dhe për kontrollin e kufirit detar. Ministri Basha nënvizoi se të gjitha këto sisteme do të integrohen mes tyre duke mundësuar pajisjen e Shqipërisë me një nga sistemet më të përparuara të kontrollit të kufirit dhe analizës së informacionit kriminal në Evropën Juglindore.
Shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Evropian, Luigi Soreca duke vlerësuar përparimin e bërë në kriteret më të rëndësishme për liberalizimin e vizave, u shpreh se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe do të ketë në vijimësi mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për konkretizimin e të gjithë hapave të nevojshëm deri në arritjen e një propozimi konkret për liberalizimin e vizave.
k.k/NOA