English

Policia rrugore në alarm: Shoferët nuk binden, vetëm dje u vendosën 1760 gjoba

Tiranë, 30 shtator NOA - Aksionet e policisë për të gjobitur shkelësit e qarkullimit rrugor, fushata sensibilizuese e policisë rrugore duke u shpërndarë shoferëve fletë-palosje apo edhe thirrjet publike për të respektuar rregullat, duket se nuk kanë ndikuar në përmirësimin e situatës në Tiranë.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të policisë rrugore të kryeqytetit për të bindur shoferët të jenë më të përgjegjshëm, sërish janë konstatuar me qindra shkelje.

Kështu vetëm ditën e djeshme policia rrugore ka mundur të vjellë më rreth 1760 gjoba.

"Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të cilët janë debitor në shlyerjen e detyrimeve të tyre, të paraqiten pranë zyrave të arkës në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë. Kontrolle dhe masa ndëshkuese do të ndërmerren ndaj atyre drejtuesve të cilët nuk kanë shlyer detyrimet e tyre, që rrjedhin nga kundravajtjet administrative. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës" thuhej në deklaratën e lëshuar sot nga policia e Tiranës.

Sipas policisë, vetëm ditën e djeshme në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e Policisë janë vendosur 1759 me vlerë 98.5800 lekë ndërsa janë pezulluar 8 leje drejtimi.

Policia bën të ditur se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

k.k/NOA

KOMENTE