English

Publikimi i dëshmive për Bandën e Lul Berishës, Rama: Media të zbatojë urdhrin

Tiranë, 1 Tetor NOA - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka reaguar me ashpërsi ndaj publikimit në media të përditshme të shkruara, të dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli, në një nga proceset penale më delikate, atë të "Bandës së Durrësit".

Përmes një deklarate të posaçme që lëshoi zyra e saj, kujtohet fakti se sa i takon deklarimeve më të fundit në media rreth procesit penal në ngarkim të të pandehurve Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Adriatik (Dritan) Coli, e cila tashmë ka kaluar për gjykim bëjmë të ditur se këto media duhet të zbatojnë urdhrin e trupit gjykues të Gjykatës së Shkalles së Parë për Krime të Rënda Tiranë, i cili urdhëron ndalimin e publikimit të të dhënave apo dëshmive sipas nenit 103 të K.Pr.Penale".

Në bazë të kërkesës së palëve, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të ndërmjetëm të datës 06.03.2008, bazuar në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të publikimit të mëtejshëm nga redaksitë e gazetave si dhe nga media të tjera vizive, të akteve të hetimeve paraprake të çështjes penale Nr.33 akti, në ngarkim të të pandehurve Lulëzim Berisha, Endrit Dokle, Adriatik Coli, etj.

Ky vendim i ndërmjetëm, nga kancelaria e gjykatës i është komunikuar të gjitha mediave.

"Ndaj ftojmë të gjitha mediat e shkruara apo vizive të mos bëjnë publikime të mëtejshme të dëshmive të të pandehurve Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Adriatik Coli, pasi dëmtohet shqyrtimi gjyqësor, shkelet ligji duke përberë kështu vepër penale që ndëshkohet nga Kodi Penal", - përfundon paralajmërimi i Prokurores së Përgjithshme.

e.r/NOA

KOMENTE