Gjirokastër, 30 shtator, NOA -  Qarku i Shkodrës është shpallur fitues i edicionit 9 të Festivalit Kombëtar Folklorik "Gjirokastër 2009", ndërsa me çmim të dytë u nderuan qarku i Gjirokastrës dhe grupi "Kosova 2", ndërsa me çmim të tretë qarku i Elbasanit dhe ai i Lezhës.
Por në këtë festival juria ndau edhe çmime të tjera, si ajo "për grupe zhanresh" me të cilin u nderua si orkestra më e mirë në veglat tradicionale qarku i Dibrës me orkestrën e Matit; çmimi "për sazet" me të cilin u nderua orkestrina e muzikës popullore qytetare të qarkut të Korçës; çmimi "për iso-polifoninë labe" me të cilin u nderua grupi i Vlorës; çmimi "për iso-polifoninë toske" u nderua qarku i Beratit për iso-polifoninë e Skraparit; çmimi "për ritualin më të mirë" u nderua qarku i Tiranës, çmimi "për vallen më të mirë të burrave" u nderua qarku i Fierit me Vallen e Brezave; çmimi "për grupin më të mirë të valleve të grave" u nderua qarku i Durrësit me vallen e Fluturave; çmimi "për paraqitjen më të mirë të veshjeve popullore" u nderua grupi i Kukësit dhe çmimi "për diversitetin kulturor" u nderua Grupi i Gjirokastrës me vallen e Dropullit. Ndërkaq, çmimin e parë për individë e morën rapsodët Sherif Dervishi dhe Myfterin Uka (Dibër); si intepretuesi më i mirë u zgjodh Benis Lekdodaj me vallen çame (Vlorë); si  lahutari më i mirë u zgjodh 99 vjeçari Gjok Nanaj nga Lezha etj.
Në Festivalin Folkorik Kombëtar të këtij viti morën pjesë 1200 artistë popullorë, të përfshirë 24 grupe nga 12 qarqe të vendit, 6 prej të cilave grupe artistike jashtë konkurimit, si edhe ansamble folklorike nga shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, arbëreshë të Italisë dhe të diasporës shqiptare në SHBA, për 6 ditë me radhë.
n.e/NOA
Â