Durrës, 1 tetor, NOA - Forcat e policisë kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të tre personave, të cilët akuzohen për konsumimin e veprës penale të "Falsifikimit të monedhave".
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, të ndaluarit janë personat
F.K. 17 vjeç, Besim Deda 18 vjeç dhe S.H. 14-vjeç, që të tre lindur dhe banues në Manëz të Durrësit.
Forcat policore bëjnë me dijeni se i pari është kapur në flagrancë duke këmbyer një sasi kartëmonedhash të prerjes 20 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara në një pike Uestern Union në Manëz.
Për këtë ngjarje është marrë kallëzimi nga A.D, administrator i kësaj pike, sipas të cilit F.K. ka shkuar dy herë pranë saj me qëllimin e këmbimit të kartëmonedhave false.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se atij kartëmonedhat e prerjes 20 euro ia ka dhënë Besim Deda, ndërsa këtij S.H, i cili në deklaratën e tij pohon se i ka gjetur në rrugë.
Të tre personat ishin në dijeni se kartëmonedhat qenë të falsifikuara dhe me vetëdije kanë vendosur t'i këmbejnë ato.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 kartëmonedha të prerjes 20 euro me numra serie 6 copë me numër V00247820335, 1 copë me numër v55650030341 dhe 1 me numër S44244920418, si edhe dy kaseta video me filmime të zyrës së Uestern Union të dorëzuar administratori i saj.
Materialet i kaluan prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.