English

Banka e Shqipërisë: Pse nuk e ndryshojmë normën bazë të interesit

Tiranë, 1 Tetor NOA Update - Në mbledhjen e tij të së mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare.

Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend dhe në përfundim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind.

Kjo normë interesi është konsistente me ruajtjen e inflacionit afër nivelit objektiv të Bankës së Shqipërisë në një periudhë afatmesme.

Guvernatori Fullani duke shpjeguar vendimin tha se "analiza e zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe monetare ka konfirmuar pritjet tona për një ngadalësim të përgjithshëm të aktivitetit ekonomik në vend dhe reduktim të presioneve të brendshme inflacioniste, për një qetësim të tregjeve monetare dhe për një rikuperim të ngadaltë të ndërmjetësimit financiar, si dhe ka nënvizuar ekuilibrin ende të brishtë të treguesve ekonomikë dhe monetarë"

Sipas Fullanit, konkluzionet e diskutimeve tona konverguan drejt marrjes së vendimit për mosndryshimin e normës bazë.

"Ky qëndrim synon ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të ekuilibrave të vendosur, duke e konsideruar qëndrueshmërinë makroekonomike si një parakusht të domosdoshëm për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë", - theksoi Fullani.

Ai shtoi se duke inkuadruar edhe parashikimet për një inflacion të qetë dhe brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për periudhën e ardhme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.

Kjo lëvizje është vazhdim i politikës monetare të kujdesshme të ndjekur nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2009, politikë e cila ka synuar përcjelljen e stimujve të kontrolluar monetarë dhe ruajtjen e pritjeve inflacioniste afër nivelit të synuar prej saj.

Zhvillimet e fundit sugjerojnë se tabloja e presioneve inflacioniste po zhvendoset përgjithësisht në kahun rënës.

Ekspertët e ekonomisë thonë se një rrezik në kahun rritës për çmimet e konsumit është përcjellja më e lartë e tendencës së fundit rritëse të çmimeve të lëndëve bazë në tregun botëror.

Ndërkaq, ecuria e kursit të këmbimit, e pritjeve inflacioniste si dhe pozicioni fiskal i vendit do të vazhdojnë të kushtëzojnë balancën e rreziqeve në të ardhmen.

Banka e Shqipërisë, beson se qetësimi i pritshëm i këtyre zhvillimeve në kushtet e një ambienti financiar të stabilizuar mirë do të krijojë hapësirat e duhura për rritjen e stimulit monetar në ekonomi.

e.r/NOA

KOMENTE