Pragë, 1 Tetor NOA - Dy gazetarë të shërbimit për Iranin të radio Farda/radio Evropa e Lirë, kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë, në një fatkeqësi trafiku në periferi të Pragës.
Gazetarja Rosa Ajiri, 27 vjeçe dhe kolegu i saj 29 vjeçar Amir Zaamanifar, humbën jetën në aksidentin e trafikut në mëngjesin e 29 shtatorit, në autostradën në veri të kryeqytetit çek. Gazetarja Mahin Gorji, që e drejtonte veturën, është në gjendje të rëndë shëndetësore në një spital të Pragës. Hetimet e para sugjerojnë se automobili i tyre ishte ndalur në linjën emergjente të autostradës, kur nga prapa ishte goditur nga një traktor.
Agjencia e Lajmeve NOA, bashkohet me dhimbjen për kolegët duke shprehur ngushëllime të sinqerta mediumit Evropa e Lirë dhe familjarëve e të afërmve të tjerë të viktimave të vdekjeve të parakohshme.
e.rNOA